Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar të hënën se nuk ka ndonjë vendim formal për ngrirjen e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Serbinë.
“Nuk ka asnjë vendim për t’i ngrirë fondet apo diçka të tillë”, konfirmoi zëdhënësi i Komisionit, Markus Lammers.
“Komisioni Evropian vlerëson vazhdimisht nëse përmbushen kushtet përkatëse për mbështetje sipas instrumenteve financiare të BE-së. Kjo është pjesë e zbatimit normal të këtyre instrumenteve dhe zbatohet gjatë gjithë procesit, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes në fazën e çdo kërkese për pagesë”, shtoi Lammers.
Ai përsëriti shqetësimet e institucioneve evropiane në lidhje me miratimin e ligjeve gjyqësore dhe deklaroi se Serbia pritet ta zbatojë plotësisht mendimin e Komisionit të Venedikut mbi këtë legjislacion.
