Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se dinari ka qenë instrument që është përdorur për t’i manipuluar serbët e Kosovës.
Ai sot para mediave ka theksuar se Serbia nëpërmjet Listës Serbe kanë dërguar dinarë nëpër shtëpitë e serbëve të Kosovës që ata t’i mbështesin.
“Dinari nuk ka qenë thjeshtë valutë edhe monedhë, dinari ka qenë instrument të cilin dikush ta ka sjellur fizikisht nga Beogradi me kombi, edhe aty do zyrtarë të Vuçiqit përmes Listës Serbe të kanë ardhur tek shtëpia dhe t’i kanë dhënë paret, edhe e kanë kërkuar lojalitetin tënd për Listën Serbe”, tha Konjufca.
Ditëve të fundit, në Kosovës hyri në fuqi një rregullore që përjashton dinarin nga qarkullimi.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përkon me mbylljen e komunave paralele që punojnë në sistemin serb dhe janë të paligjshme për Kosovën.
Në dy javët e fundit janë mbyllur katër komuna paralele serbe në Dragash dhe në Pejë.
Burimi © SYRI.net
