5.8 C
Skopje
E enjte, 26 Shkurt, 2026

Konkurrencë e madhe në ekipin e Shqipërisë

Për kombëtaren mund të konsiderohet si momenti i së vërtetës. Sfidat me Çekinë dhe Poloninë do të vendosin fatin e eliminatoreve duke treguar njëkohësisht forcën e vërtetë të këtij grupi. Avantazhi i Shqipërisë është se vjen në rritje, në lojë e rezultate me kurën Sylvinho që i ka dhënë efektet e para dhe mbi të gjitha një lajm i mirë me shumë peshë është se futbollistët e kombëtares këtë shtator vijnë në formë. Konkurrenca është e madhe dhe Sylvinhos i duhet të kristalizojë formacionin duke patur parasysh një mori alternativash.

Duke nisur nga sulmi, në të dy ndeshjet e qershorit e kanë nisur si titullarë Cikalleshi dhe Jasir Asani. Kavajasi edhe këtë shtator vjen në gjendje optimale, 3 gola në 4 ndeshje në Turqi, një faktor për t’ju shtuar eksperiencës, personaliteti dhe përgjegjësisë, që ndoshta ndonjëherë e ndien edhe më shumë se ç’duhet. Në qershor goli i mungoi por është një nga ata sulmues që ofron shumë volum e sakrifikon në çdo zonë.

Asani bëri një debutim për duartrokitje me Moldavinë, lojtar që krijon edhe në hapësira të ngushta, tenton driblimin dhe epërsinë numerike, gol që zgjidhi ndeshjen me Moldavinë, asist i golit të parë ndaj Ishujve Faroe, cilësi dhe statistika që e mbajnë sërish në pole për formacionin.

Titullar ndaj Moldavisë ishte dhe Myrto Uzuni, që në ndeshjen me Ishujt Faroe u zëvendësua nga Taulant Seferi. Vlerat e beratasit nuk diskutohen, në Spanjë ka bërë namin edhe pse në kombëtare nuk ka gjetur ende dellin që e karakterizon me klubin, padyshim që shkelmon sërish për një vend titullari edhe ndaj Çekisë.

Me paraqitjen ndaj Ishujve Faroe la shije të mirë edhe Taulant Seferi, Sylvinho e ka sjellë nga Dubai i largët jo më kot dhe do t’i duhet ta ketë parasysh edhe për sfidat e radhës.

Të ngjajshme

Të fundit