5.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Kosova përballë zgjedhjeve / Mbulesa islame ndalohet, “Edukimi Seksual” përhapet në shkolla ?!

Në Kosovë, një kontradiktë e madhe dhe shqetësuese ka dalë në dritë, duke shkelur rëndë logjikën e lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Shkruan POPULLI.mk

Nga njëra anë, po shohim një tendencë të shtuar për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe zgjedhjes për vajzat dhe gratë që vendosin të mbulojnë trupin e tyre sipas besimit të tyre fetar, ndërsa nga ana tjetër, po kërkohet të futet në sistemin shkollor një edukatë seksuale që shpesh shkon përtej kornizave të vlerave dhe besimeve të shumicës së familjeve në Kosovë.

Ka pasur raste të herëpashershme ku vajza të mbuluara janë diskriminuar, ndaluar ose dhe përjashtuar nga disa shkolla dhe aktivitete të tjera, për shkak të besimit të tyre dhe mbulesës islame. Kjo nuk është vetëm një shkelje e të drejtave të individëve, por edhe një shenjë e një shoqërie që ndodhet përballë një dileme të thellë mes modernizmit dhe respektimit të diversitetit kulturor dhe fetar.

Në të njëjtën kohë, ministria e Arsimit këto ditë kërkoi që tekste të “edukatës seksuale” të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore, duke i detyruar të rinjtë të përballen me tema të ndjeshme, pa një diskutim të thelluar dhe pa një përshtatje të plotë me realitetin kulturor dhe shoqëror të Kosovës. Edukimi seksual, pa dyshim, është i rëndësishëm për informimin dhe mbrojtjen e shëndetit të rinisë, por ky proces duhet të bëhet me respekt për ndjeshmëritë e prindërve dhe besimeve të ndryshme që ekzistojnë.

Në këtë kontekst, pyetja që lind është: pse është më e lehtë të ndalosh mbulesën fetare dhe të kontrollosh zgjedhjet fetare të individëve sesa të ofrosh mundësi për një edukatë që reflekton vlerat dhe besimet e secilit? Pse një shoqëri që ka një shumicë të madhe të besimtarëve myslimanë (95%), është e gatshme të imponojë një edukatë që mund të mos përkojë me vlerat tradicionale të familjeve shqiptare?

Ky është një absud, një kontradiktë që vjen për të sfiduar logjikën e një shoqërie që nuk mund të bëjë një zgjedhje mes lirisë dhe kontrollit. Kosova, si një shtet i ri, ka nevojë për një edukim që përforcon respektin për lirinë e individëve, por gjithashtu duhet të respektojë diversitetin e mendimeve, besimeve dhe zakoneve që e pasurojnë këtë shoqëri.

Në vend që të ndalohen vajzat që vendosin të mbulojnë kokën për shkak të besimit të tyre, dhe të krijohen barriera për edukatën fetare, duhet të ekzistojë një qasje më e hapur dhe e balancuar që respekton të drejtat e çdo individi, duke ofruar gjithashtu mundësi për një edukatë të gjithanshme që respekton vlerat kulturore dhe fetare të një shoqërie që është ende në fazat e formimit të identitetit të saj social. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit