23.8 C
Skopje
E diel, 8 Shtator, 2024

Kosova t’i bëhet Serbisë kusht për anëtarësim

Komisioni Evropian ia dërgoi Këshillit propozimin për ndryshimin e kornizës së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllokun evropian. Në propozim kërkohet që në kornizën e kapitullit të 35-të për Serbinë të përfshihet obligimi për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu. Sipas burimeve diplomatike në BE, propozimi u dërgua me dy ditë vonesë, shkaku i përpjekjeve të komisionarit për zgjerim e fqinjësi, Oliver Varhelyi, për ta penguar miratimin e tij
Dy ditë pasi ka skaduar afati i dhënë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i kanë dorëzuar Këshillit propozimin për të ndryshuar kornizën negociuese për Serbinë.
Ky ndryshim është kërkuar për të përfshirë edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë si kusht, në kuadër të kapitullit të 35-të të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.
Sipas burimeve nga Komisioni Evropian, Komisioni ia ka dërguar Këshillit këtë propozim të premten, më 2 shkurt. Ndërkaq më parë, nga takimi i dhjetorit, ministrat e BE-së kishin kërkuar që ky propozim të dorëzohet para përfundimit të muajit janar. Vonesat kanë ardhur, sipas disa burimeve diplomatike në BE, për shkak të përpjekjeve të komisionarit për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi, për të penguar miratimin e këtij propozimi.
Bashkimi Evropian, në kohën kur ishte arritur marrëveshja e Brukselit në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe Aneksi për implementimin e saj në Ohër, në muajin mars, kishte insistuar që këto marrëveshje janë ligjërisht obliguese për palët, edhe pse ato nuk ishin nënshkruar, pasi nënshkrimin e kishte refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit, që e ka emrin “çështje të tjera”, në rastin e Serbisë përfshin normalizimin e raporteve me Kosovën si kusht.
Këtë kapitull Serbia e kishte hapur qysh në vitin 2015, pikërisht për të mundësuar përcjelljen e progresit në normalizimin e raporteve me Kosovën.
Tash, pasi është dorëzuar propozimi për ndryshime te Këshilli i BE-së, ai duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që nënkupton se nëse ndonjë shtet do të ketë dëshirë, mund edhe ta pengojë miratimin e tij.
Gjithsesi, në BE mendojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe kjo të miratohet për të pasur edhe më shumë argumente për të bërë trysni, si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Serbisë që t’i zbatojnë obligimet nga dialogu, pasi që, sipas BE-së, asnjëra palë nuk ka bërë sa duhet për të arritur progres në këtë drejtim.
Burimi © KOHA.net

Të ngjajshme

Të fundit