Nëse plaga më e rrezikshme që vazhdon akoma të jetë e hapur në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, epilogu i kësaj çështje vështirë të arrihet. Nëse dikur faktori ndërkombëtarë ka bërë presion ndaj Kosovës për çështje të caktuara, dje u morr një vendim që me automatizëm lehtëson pozitën negociuse të Kosovës në bisedime me Serbinë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68. Ky vendim dëshmoi që bota nuk mbyll sy e vesh kur përballë ka një shtet gjenocidal, shkruan Zhurnal.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën për Srebrenicën –
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Rezoluta, e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.
Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”. Përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia – votuan për. Nga vendet e Bashkimit Evropian, Hungaria ishte kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan. Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba dhe Nikaragua ishin në mesin e atyre që votuan kundër.
Srebrenica vendi ku Serbia shkaktoi gjenocid –
Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës është një krim lufte i zbatuar në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet.
Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiq, duke përfshirë njësinë paraushtarake “Škorpioni” (sq. Akrepat), e cila ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe disa qindra vullnetarë grekë dhe rusë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.
Serbia demaskohet nga loja me standarde të dyfishta në OKB, Kosova avancohet në agjendën e NATO-s –
Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë. Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.
Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.
“Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor do të trajtohen, ashtu si edhe strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe për rritjen e angazhimit me Jugun Global”, thuhet në komunikatë.
Në Serbi, Instituti Ndërkombëtar për Siguri u angazhua për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizatë. Në një thirrje drejtuar saj, ai tha se konsideron se dhënia e statusit të anëtarit të asocuar Kuvendit të Kosovës, “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.
“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale. Institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen”, pretendoi organizata me seli në Beograd. Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës. Organizata serbe tha, po ashtu, se nëntë anëtarët aktualë të asocuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga “vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht” dhe se “dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”, ka shkruar Radio Evropa e Lirë.
Kujtojmë që, pre kur Kosova u bë palë në bisedime me Serbinë tensionet janë shpeshtuar –
Përderisa tensionet ishin të njëpasnjëshme në Kosovë, vetëm një kryeministër si Albin Kurti diti dhe mundi t’i menaxhojë ashtu si duhet. Fat për shtetin e Kosovës që në krye të qeverisë ka një lider me guxim dhe dije sikurse Albin Kurti, dhe kjo i pamundëson Listës Serbe të dirigjuar nga Beogradi që të rrëzojë Qeverinë apo të prish rendin e funksionimit të institucioneve të shtetit. Ka ikur koha kur lista serbe vonohej qëllimisht e koordinohej me Beogradin se kur dhe pse duhet ta ngrinin dorën në Kuvendin e Kosovës. Qeveria Kurti nuk është e varur nga lista serbe dhe kjo me automatizëm vërteton se është Qeveri e cila buron prej vullnetit të lirë të popullit, dhe një qeverisje e tillë nuk ka se si mos të mendojë e të punojë për interesin e gjithë qytetarëve. Prej momentit që në krye të qeverisë së Kosovës është zgjedhur me vullnetin më të madh mbarë popullor(mbi 50%), Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka inskenuar skenarë të ndryshëm përmes të cilave ka dëshmuar se më shumë është marrë me Kosovën se me Serbinë.
Tensionet kanë filluar qysh kur vendimi për fillimin e zbatimit të reciprocitetit ndaj Serbisë, ka arritur të sjellë veprime të paarsyeshme të serbëve ndaj shqiptarëve. E gjitha filloi kur Qeveria e Kosovës bëri të ditur se që nga 1 gusht do të ketë rregulla të reja për serbët që do të hynë në Kosovë. Të papranueshme këtë gjë e panë natyrisht serbët, të cilët filluan me bllokadat në pikat kufitare. Por, në fund triumfoi Kosova. /Zhurnal.mk
