Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.
Aktualisht janë të numëruara 665 nga 2 mijë e 557 qendra, apo 26%.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, më i votuari është Albin Kurti me mbi 88 mijë vota.
Pas tij, vjen Glauk Konjufca me gati 69 mijë vota.
Hekuran Murati ka mbi 35 mijë, Albulena Haxhu gjithashtu mbi 35 mijë, Donika Gërvalla mbi 31 mijë, Xhelal Sveçla rreth 28 mijë e Hajrulla Çeko 26 mijë e 694.
Avni Dehari vjen më pas me mbi 23 mijë vota, Mimoza Kusari-Lila ka mbi 21 mijë e 300, Ejup Maqedonci gati 20 mijë, Shqipe Mehmeti Selimi mbi 15 mijë e 800 vota.
Me renditje në VV befasojnë emra si Rufki Suma, ish kryetari i Hanit të Elezit që ka mbi 10 mijë vota deri më tash, si dhe Alban Bajrami me mbi 9 mijë e 500 vota.
Në Partinë Demokratike të Kosovës ka emra të rinjë që gjenden në krye të listës. Pas Bedri Hamzës që ka mbi 40 mijë vota, vjen Arian Tahiri me rreth 19 mijë e 400, pavarësisht që kishte numër 30 në listën e PDK-së. Përparim Gruda është i treti më i votuari me 18 mijë vota, kurse më pas vjen Uran Ismaili me 14 mijë e 167 vota.
Sala Jashari me afro 13 mijë vota e Vlora Çitaku me 11 mijë e 300, janë dy gratë më të votuara në PDK.
Një tjetër emër i ri vjen më pas, dhe fjala është për Arben Mustafën me 10 mijë vota, i cili lë pas Enver Hoxhajn me 9 mijë e 339, dhe Rrahman Rama që ka mbi 7 mijë e 500 vota. Në radhë është edhe Eman Rrahmani nga koalicioni për Familjen që ka mbi 7 mijë e 200 vota.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës i pari është Lumir Abdixhiku me mbi 19 mijë vota, kurse në vendin e dytë gjendet Hykmete Bajrami me rreth 12 mijë e 300 vota. Pas saj vjen Ukë Rugova me 10 mijë e 684 vota, kurse i katërti renditet Avdullah Hoti me rreth 9 mijë e 500 vota. Hoti po ‘garon’ me Doarsa Kica-Xhelilin e cila gjithashtu ka afër 30 vota më pak.
Pas tyre, renditen Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Janina Ymeri e Jehona Lushaku-Sadriu.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës i pari renditet Ramush Haradinaj me gati 10 mijë vota. Pas tij, vjen Daut Haradinaj me 6 mijë e 118 vota, kurse i treti është Besnik Tahiri me 5 mijë e 963 vota.
Bekë Berisha ka mbi 4 mijë e 300 vota, kurse Time Kadriaj 4 mijë e 139. Burim Ramadani e Agim Çeku renditen më pas të radhës.
