15.8 C
Skopje
E hënë, 16 Shtator, 2024

Kredi të shpejta (Fajde legale) krijojnë “skllevër borxhi”

Kredi të shpejta (Fajde legale) krijojnë “skllevër borxhi”

Kompanitë që ofrojnë kredi të shpejta për popullatën janë në rritje vitet e fundit, madje mund të thuhet se po mbijnë shpejt “si kërpudhat”. Nga gjithsej 35 kompani që janë tashmë ne tregun e RMV, 23 kompani janë themeluar nga shtetas të Maqedonisë, ndërsa 12 janë themeluar me kapital të huaj. Disa nga pronarët maqedonas të këtyre firmave janë të afërm apo bashkëpunëtorë të ngushtë të figurave të rëndësishme politike në vend, mes tyre edhe miq të ngushtë të dy ish-kryeministrave, të ish-oficer të inteligjencës dhe të ish biznesmenëve të dyshimtë, ndërsa themeluesit me kapitalit të jashtëm janë milionerë nga Rusia, Letonia, Republika Çeke, Estonia, dhe kryesisht nga Bullgaria.
Ndryshe nga bankat, puna e të cilave rregullohet nga Banka Popullore, këto rregullohen nga Ministria e Financave, kështu që ato japin kredi shumë më lehtë dhe normat e interesit janë të larta. Në bazë të Ligjit për shoqëritë financiare, institucioni që jep dhe heq licencat, mbikëqyr dhe vendos masa ndaj shoqërive financiare është Ministria e Financave. Procedura e shkurtër e këtyre kredive të shpejta për gjysmë ore dhe me një dokument i bën ato tërheqëse për qytetarët, të cilët shpeshherë nuk janë të informuar se pas kësaj fshihen kostot e larta të interesit. Kjo do të thotë se nëse kërkoni kredi prej 60 mijë denarë si kredi afatshkurtër për pagesën e një viti, në kartelën tuaj do të transferohen 58 mijë denarë dhe për 12 muaj do t’ju duhet të ktheni 70 188 denarë, sipas kalkulatori i një “dyqani parash”.
Biznesi me kredi të shpejta në tremujorin e parë të këtij viti ka “peshuar” 154 milionë euro, që është gati 35 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bankës Popullore.
Sipas të dhënave të marra në vitin 2015, kredi të shpejtë kanë marrë rreth 14 400 individë, ndërsa në vitin 2020 kanë marrë kredi të tilla rreth 124 000 individë. Domethënë, në periudhën pesëvjeçare numri i personave që kanë marrë kredi të shpejta është rritur për 760%. Në të njëjtën periudhë, numri i shoqërive financiare për kredi të shpejta është trefishuar.
Pjesa më e madhe e fitimit nga marrëveshjet me para të shpejta në vend përfundon në tepricat e kompanive që janë themeluar me kapital të huaj, tregon analiza e të dhënave nga llogaritë përfundimtare të këtyre kompanive. Vitin e kaluar, fitimi i përgjithshëm i të 35 kompanive ishte gati 16 milionë euro, nga të cilat torta prej 12 milionë eurosh është e ndarë nga kompanitë me pronarë nga vende të tjera, sipas të dhënave nga Regjistri Qendror. Nga 12 kompanitë e themeluara me kapital të huaj, shtatë janë në pronësi të biznesmenëve dhe milionerëve bullgarë. Dhe pikërisht te ta përfundoi gjysma e të ardhurave totale prej 16 milionë eurosh të të gjitha kompanive financiare, pra 8 milionë euro.
Personat që kanë marrë kredi të shpejta shpesh nuk mund t’i kthejnë kreditë, ndaj detyrohen të hyjnë sërish në borxhe, duke rënë kështu në skllavëri borxhi, e cila më tej shpesh prodhon probleme të shumta sociale.

Të ngjajshme

Të fundit