Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka uruar Albin Kurti pas fitores në zgjedhjet parlamentare, përcjell TV21. Ahmeti tha se dëshiron që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian dhe shtoi se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim në shërbim të qytetarëve të vendit.
“I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj.
Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kjo është rruga që garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë.
Kosova e lirë, e fortë dhe e zhvilluar, ka qenë dhe mbetet ëndrra jonë e përbashkët”, tha Ali Ahmeti.
