Klubi i Interit aktualisht po mundohet të bëjë disa largime lojtarësh që janë jashtë planeve të trajnerit Kristian Kivu dhe mes tyre është edhe Kristian Asllani. Por ashtu si Taremi, Bisek apo Pavard, edhe mesfushori shqiptar shpreson të bindë trajnerin që ta kthejë pjesë të planeve të tij, ndaj për momentin ka refuzuar mundësinë e transferimit që i ka ardhur nga Betisi në Spanjë.
Një situatë që ka bllokuar disi merkaton e Interit që nuk mund të planifikojë përforcime të tjera pa ulur numrin e efektivëve që ka në dispozicion. Por një drejtues i klubit zikaltër, e sheh qëndrimin e këtyre futbollistëve si diçka normale.
Drejtuesi, emri i të cilit nuk përmendet nga gazeta “La Repubblica” në artikullin rreth kësaj teme, e ka të qartë se është e vështirë të largohesh nga klub si Interi.
“Kur paguan rroga të mira dhe vrapon për të gjithë trofetë, edhe dikush që nxirret te dera shpreson gjithmonë të rifitojë besimin e trajnerit. Është normale”, ka thënë ai për gazetën italiane duke argumentuar kështu faktin pse Asllani dhe të tjerët nuk do të dëshironin të hiqnin fanellën zikaltër.
Burimi / Panoramasport