Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se do t’i ftojë në takim për javën e ardhshme krerët e partive opozitare me qëllim të arritjes së një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, raporton Anadolu.
“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, tha ai pas përurimit të Institutit të Anatomisë Patologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Kurti tregoi edhe një herë se kishte bërë përpjekje për marrëveshje me krerët e dy partive më të mëdha opozitare, por pa sukses. Ai tha se arritja e një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është e domosdoshme dhe sipas tij, vendit nuk i duhen edhe një palë zgjedhje të reja.
“Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, ku unë jam kryeministri i vendit. Kemi një çështje që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vihet te fakti që vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje. Jam i bindur që s’duhet ta përsërisim. Viti 2026 është vit i ri, nuk është as e drejtë as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Andaj është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, tha Kurti.
Në fillim të kësaj jave, Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit e cila do të jetë valide nga 9 marsi deri më 31 mars. Ndërkohë, Gjykata pritet që të nxjerrë aktgjykim të plotë lidhur me këtë rast.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati si presidente më 4 prill 2026.
