6.8 C
Skopje
E enjte, 5 Mars, 2026

Kryeministrja e Italisë, Meloni vjen për pushime në Shqipëri – pritet nga Rama

Giorgia Meloni mbërriti pasditen e djeshme me tragetin e linjës të nisur nga Brindisi së bashku me familjen e saj, për të pushuar disa ditë në bregdetin shqiptar. Ajo u prit në portin e Vlorës nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili më herët e kishte ftuar atë për të vizituar Shqipërinë këtë verë.

 

 

Nën masa të rrepta sigurie në portin e Vlorës, Gorgia Meloni është pritur nga vetë Kryeministri Rama, si dhe punonjës të konsullatës italiane, për ta shoqëruar më pas në vilën qeveritare në Vlorë, aty ku ishte parashikuar një vizitë. Mësohet se Meloni ndërpreu pushimet e saj në një fermë në zonën e Puglias dhe u nis nga Brindisi me një traget linje drejt Vlorës bashkë me bashkëshortin Andrea Giambruno, vajzën Ginevra dhe motrën e saj Arianna e bashkëshortin Francesco Lollobrigida. Ajo pritet të qëndrojë 2 deri në tre ditë në Vlorë.

Ftesa e Ramës për Melonin ka qënë publike në interevistat e fundit dhënë për mediat italiane, ku fokusi ishte tek bumi i turistëve italianë drejt vendit tonë. Rama e ka quajtur Melonin ‘motra e vogël e Shqipërisë’. Meloni ishte shprehur se do të bënte të pamundurën dhe e mbajti premtimin. Masat e sigurisë në portin e Vlorës ishin mjaft të larta duke mbajtur larg kamerat dhe gazetarët. Meloni është vendosur në vilën qeveritare në Vlorë, së bashku me bashkëshortin dhe vajzën.

Zyrtarisht thuhet se kryeministrja e Italisë do të ketë dhe një takim informal me kreun e qeverisë shqiptare. Ishte vetë Kryeministri Rama që e paralajmëroi vizitën e Melonit në Shqipëri gjatë një interviste për median italine “Il Foglio”. Në serinë e intervistave që kreu i qeverisë shqiptare ka dhënë ditët e fundit për mediat italiane, e ka konsideruar homologen italiane një motër të vogël për Shqipërinë dhe një surprizë të madhe për klubin euroatlantik. “Corriere della Serra” në nisje të një interviste të gjatë me shefen e qeverisë, ku pyetet mbi taksat, ligjet për emigrantët dhe përplasjet politike në Romë, ndër të tjera raporton se “E mbyllur me familjen e saj në fermën tashmë të famshme mes ullinjve të Luginës së Itria-s dhe e tunduar nga ftesa e kryeministrit shqiptar Edi Rama , i cili e pret në brigjet e Vlorës për dy-tri ditë relaksi, Giorgia Meloni ndan rreth 20 minuta për t’iu përgjigjur gazetarëve të Corriere, Repubblica dhe Stampa”.

Nis kështu artikulli i medias së njohur italiane, duke lënë të kuptohet se Meloni do të udhëtojë drejt rivierës shqiptare për një vizitë private. Vizita e Melonit në Vlorë vjen në një kohë kur kryeministri Rama ka shprehur vlerësim të lartë për lideren e “Fratelli d’Italia”, në intervistat e fundit për mediat përtej Adriatikut.

 

 

“Në skenën ndërkombëtare, Giorgia i ka surprizuar të gjithë, e do të thosha alla grande, sepse teksa prisnin një përbindësh fashist që do të marshonte mbi Europë, u gjendën përballë një gruaje me aftësi mahnitëse në komunikim si një evropiane e thekur, që deri më tash s’ka thënë asgjë gabim. E djathta, e majtë, fashizmi, socializmi kanë kuptim kur flasim për histori, por kërkimi i sensit të tyre të hershëm në politikën e sotme mund të na ngatërrojë me këmbët tona”, shprehej Rama për ‘Libero’.

Prej muajsh, Shqipëria po përballet me bum turistësh nga e gjithë bota, përfshi edhe italianët, të cilët tërhiqen nga vendet magjepsëse dhe çmimet e lira. Kujtojmë se edhe ish-Kryeministri britanik, Tony Blair, ndodhet në Shqipëri. Ai mbërriti në Himarë me helikopter mbrëmjen e së dielës.

Të ngjajshme

Të fundit