16.6 C
Skopje
E martë, 9 Qershor, 2026

Kryetarja e Forumit të Gruas në Çair: ASH po devijon, nuk jam pjesë e kësaj rruge!

Selia e re e Aleancës për Shqiptarët në Çair është inauguruar pa praninë e kryetares së Forumit të Gruas në këtë degë, Teuta Ramadani Xhaferi. Në një deklaratë publike, ajo ka bërë të ditur se bojkoti i saj nuk ishte një akt i heshtur, por një reagim i ndërgjegjshëm ndaj drejtimit që, sipas saj, po merr partia, informon POPULLI.mk. 

“E vërteta nuk ka nevojë për leje që të thuhet”, shprehet Xhaferi, duke kundërshtuar ashpër afrimin e ASh me Bashkimin Demokratik për Integrim – partinë që dikur Aleanca kishte si mision ta çonte në opozitë.

Sipas saj, rruga e re e ndjekur nga drejtues të partisë është në kundërshtim të plotë me vizionin e themeluesit Arbën Xhaferi dhe me sakrificën e aktivistëve që ndërtuan strukturën e ASh-së në terren.

“Ndarja me Ziadin Selën ndodhi për këtë arsye – sepse vendosi të bashkëpunojë me BDI-në. Dhe është tragjike që po përjetojmë të njëjtën histori, thjesht me një dorë tjetër që po na shtyn drejt së njëjtës humnerë”, thekson Xhaferi.

Ajo kujton se në mbledhjen e fundit të degës së Çairit, anëtarësisë iu dha një ultimatum: “Kush e ka veshur dresin e partisë, le të rrijë. Kush jo, dera është e hapur”, një qëndrim që ajo e cilëson si ironik dhe tregues të një pushteti personal që po përpin organizatën.

“Unë nuk largohem për inat, por për bindje”, thotë Xhaferi. “Nuk jam kundër një individi, por ndaj një devijimi që nuk ka më lidhje me Aleancën që ndërtuam së bashku.”

Në fund, ajo thekson se do të mbetet aktive në Çair, pranë qytetarëve, grave dhe të rinjve që ende besojnë në një Aleancë të pastër dhe me ideale. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit