7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit dhe festohet në të gjitha shkollat dhe Universitetet. Është një ditë për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman. Tani më 136 vite më vonë prej kur është hap shkolla e parë shqipe, në Maqedoninë e Veriut ende ka shqiptarë që mësimin e vijojnë në gjuhën maqedonase. Megjithatë, shqiptarët janë zhvilluar mjaftueshëm në fushën e arsimimit. Shumë çerdhe, shumë shkolla, e shumë Universitete kudo në trevat shqiptare, nxënës, student me bollëk. Por, në realitet si qëndron gjendja me cilësinë, sepse fundja shqiptarët nuk kanë pasur nevojë për objekte por për kuadro dhe gjenerata sa më cilësore me potencialin e të cilëve shpresohet që të ndryshojë gjendja kolektive sociale për të mirë. Por, në këtë ditë feste duhet të kujdtojmë që këto nxënës që mësimin e tyre po e vijojnë në gjuhën maqedonase për shkak të politikave të papërgjegjshme kujt duhet t’ia urojnë këtë festë? shkruan Zhurnal.
7 Marsi a duhet të festohet por nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mësojnë në gjuhën maqedonase?
Për nxënësit shqiptarë në Veles dhe në Idrizovë edhe këtë vit mbetet dëshira, nevoja dhe kërkesa e njëjtë, një shkollë ku do të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. Por, kjo kërkesë po has në vesh të shurdhër dhe këta nxënës po trajtohen si nxënës të dorës së dytë për të cilët nuk vlejnë ligjet e njëjta të këtij shteti, që garantojnë për secilin qytetarë shkollimin në gjuhën amtare.
E tani kur flitet për ndryshim të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e për atë se sa është e zbatueshme gjuha shqipe në RMV kemi ende raste që nxënësve shqiptarë nuk u garantohet mësimi në gjuhën shqipe. Rasti i tillë, është në fshatin Çashkë dhe ato në Idrizovë që nuk po gjinden dot një zgjidhje e përshtatshme që nxënësit të mos mësojnë në gjuhën maqedonase, sepse këta nxënës janë të rrezikuar pasi elementi kryesor i asimilimit është gjuha.
Shkolla në Idrizovë dhe paralelja në gjuhën shqipe në Çashkë ka një kohë të gjatë që janë premtuar nga autoritetet e vendit, e kundër kësaj kërkese shumë legjitime kanë protestuar prindërit maqedonas. Ndërkaq, këto premtime boshe vazhdojnë të mbesin si të tilla duke endur qytetarët e këtyre zonave që kërkesat t’i adresojnë nëpër institucione, kërkesa të cilat hera herës përfundojnë në sirtarë e në shporta berllogu.
Për 7 Mars duhet të kujtojmë se në çfarë niveli e kemi sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut –
Maqedonia e Veriut 32 vite shtet i pavarur institucionin më labil dhe më pak të qëndrueshëm e ka Ministrinë e Arsimit, madje shpesh në formim të qeverive ky institucion i jepet për udhëheqje sa për ta bë dikë ministër, dhe nuk vendoset ndokush që di dhe mundet të udhëheq dhe duhet të udhëheq me këtë institucion.
Të paktë janë ministrat që kanë përfunduar mandatin e plotë në krye të kësaj Ministrie, pasi në çdo rikonstruim të Qeverisë është ndërruar ministri, dhe kjo flet qartazi se në çfarë gjendje është kjo Ministri. Mes tjerash për ironi me këtë Ministri për një kohë të gjatë kanë udhëhequr shqiptarë të shumtë, dhe sërish gjendja e arsimit te shqiptarët mbetet për të dëshiruar, si dhe është për të ardhur keq që edhe 136 vite pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë ka ende shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që nuk mësojnë në gjuhën shqipe.
Se ku qëndron cilësia në arsim në Maqedoninë e Veriut është shumë thjesht e kuptueshme nëse merren dhe shqyrtohen rezultatet e testeve ndërkombëtare për nxënësit dhe Universitet në vend. Nga të gjitha testet e realizuara deri më tani vendi ynë ka rezultuar në fund të listave ose fare nuk ka qenë në listë. Përshembull, PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), studim ndërkombëtar për të lexuarit me kuptim, matematikë dhe shkenca natyrore që bën matjen e diturive dhe shkathtësive të nxënësve të moshës 15 vjeçare, ku në lexim me kuptim dhe matematikë nga 77 shtete RMV është në vendin e 67, ndërsa në shkenca natyrore nga 77 shtete RMV është në vendin e 63.
Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb.
Megjithatë, ajo që është shqetësuese për vendin dhe shqiptarët është fakti që ende në vitin 2023 duhet të parashtrojnë kërkesa që janë jo normale sepse gjërat e tilla duhet të rregullohen pa u kërkuar fare, shqiptarët duhet të kërkojnë hapjen e shkollave shqipe që nxënësit të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. Kemi të bëjmë me të drejta themelore njerëzore arsimimi në gjuhën amtare nuk duhet të jetë kërkesë por nevojë që duhej plotësuar nga institucionet e përgjegjshme. Por, në vendin tonë nuk ka institucione të përgjegjshme, prandaj edhe ka përjashtime të kësaj natyre duke diskriminuar shqiptarët pa ndalë në gjitha format. /Zhurnal.mk
