5.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Kur kultura e një kombi lihet në harresë, artistët e ANSH-së katër muaj pa punë!

Është e dhimbshme dhe e papranueshme që artistët e Ansamblit Shqiptar në Maqedoninë e Veriut po përballen me një situatë kaq të vështirë, duke qëndruar katër muaj pa punë dhe pa vendime të përhershme që do t’ju garantonin siguri profesionale dhe ekonomike.

Shkruan POPULLI.mk

Ky është një tregues i qartë i neglizhencës institucionale dhe mungesës së përgjegjësisë ndaj një grupi që jo vetëm promovon artin dhe kulturën shqiptare, por edhe përfaqëson një pasuri kombëtare.

Ish-drejtori, Shkodran Tolaj, gjatë mandatit të tij, dështoi të pajisë artistët me vendime të përhershme. Ndërkohë, premtimet për rikthimin e tyre në punë janë shndërruar në një lojë pritjeje të pafundme, duke i lënë këta artistë në mëshirën e fatit. Nëse premtimet mbeten vetëm fjalë, kjo do të reflektojë edhe një herë dështimin e sistemit për të garantuar mirëqenie dhe stabilitet për profesionistët që japin aq shumë për komunitetin.

Situata përkeqësohet edhe më shumë kur marrim parasysh se shumë prej artistëve kanë kredi dhe familje për të mbajtur, ndërkohë që nuk kanë të ardhura të tjera. Kështu kishin deklaruar vetë artistët në një paraqitje para mediumeve muaj më parë. Nëse shteti dhe institucionet përgjegjëse vazhdojnë të injorojnë këtë krizë, humbjet nuk do të jenë vetëm individuale, por edhe kulturore dhe kombëtare.

Është koha për veprime konkrete, jo për retorikë të zbrazët. Artistët e Ansamblit Shqiptar meritojnë më shumë – meritojnë dinjitet dhe mbështetje. Nëse nuk i vlerësojmë ata sot, si do të mbrojmë identitetin dhe kulturën tonë në të ardhmen? / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit