Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, më 26.02.2025, Kurti tha se më së largu deri në javën e ardhshme pritet të publikohen rezultatet përfundimtare.
“Si fitues të qartë, qytetarët presin nga ne që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9-të. Deri atëherë nga ju të nderuar kabinet qeveritar, kolegë, pres punë të njëjtë me të njëjtin ritëm. Pjesëmarrje më të lartë në zgjedhje pati edhe diaspora që pati mundësi të votoj edhe në konsullata e ambasada”- tha ai.
Kurti bëri thirrje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kujdes të shtuar dhe më shumë angazhim në mënyrë që të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të përmbyllet siç duhet “një proces i rregullt dhe demokratik”.
Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 10:27, më 20.02.2025, në uebfaqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80%, apo 342,254 vota.
Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.05% e votave, apo 184,936 vota.
E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.64%, apo 147,928 vota.
Në këto rezultate nuk përfshihen: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.
Më 09.02.2025, Kosova mbajti Zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Burimi / Kallxo.com