5.8 C
Skopje
E diel, 20 Prill, 2025

Taravari paralajmëron: Ballkani, fuçi baruti që mund të ndezë një konflikt botëror

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ngritur shqetësimin mbi tendencën e zbehjes së diplomacisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke paralajmëruar për pasoja të rënda nëse tensionet aktuale nuk menaxhohen me kujdes, informon POPULLI.mk

Në një analizë të fundit, ai thekson se pas emërimit të Donald Trump si president i SHBA-ve, raportet transatlantike kanë ndryshuar ndjeshëm, duke krijuar një klimë kaotike në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës. Sipas tij, kjo situatë mund të çojë në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, duke ndikuar edhe në stabilitetin e Ballkanit.

“Ndryshimet e politikës amerikane janë të barasvlershme me lëvizjen e pllakave tektonike, dhe duke qenë se SHBA-të janë një pllakë e madhe, tërmeti ka përfshirë të gjithë,” shprehet Taravari. Ai thekson se liderët evropianë po e përjetojnë këtë situatë si një “krizë identiteti”, ndërsa politika e Trump, ndonëse më e drejtpërdrejtë, mund të shërbejë si një mësim për Evropën që të dalë nga “zona e rehatisë”.

Në analizën e tij, Taravari përmend edhe tensionet e vazhdueshme në Ukrainë, duke argumentuar se pavarësisht dallimeve, SHBA dhe Evropa mbeten të bashkuara në dëshirën për paqe. Megjithatë, ai paralajmëron për ndikimin e këtyre zhvillimeve në Ballkan, veçanërisht në Kosovë.

“Ballkani është gjithnjë një fuçi baruti dhe nëse Kosova bëhet viktimë e një vendimi të padrejtë, konflikti mund të përshkallëzohet deri në përmasa globale,” thekson Taravari, duke aluduar për rrezikun e një “Konflikti të Tretë Botëror”.

Në përfundim, ai apelon për më shumë maturi dhe diplomaci në adresimin e krizave ndërkombëtare, duke theksuar se dialogu mbetet çelësi për të ruajtur stabilitetin global.

Të ngjajshme

Të fundit