2.8 C
Skopje
E shtunë, 21 Mars, 2026

Kurti: Institucionet e reja – dialog i hapur me përfaqësuesit e komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka zhvilluar takime me deputetët e zgjedhur dhe përfaqësuesit politikë të komuniteteve joshumicë në kuadër të procesit të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja të legjislaturës së 9-të, informon POPULLI.mk

Në këto takime, Kurti dhe Bislimi pritën në bisedime të ndara përfaqësuesit e komuniteteve serbe, boshnjake, egjiptiane, turke, rome, ashkalinjëve dhe goranëve. Mes tyre ishin edhe liderët e partive politike që përfaqësojnë këto komunitete, si Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat, Albert Kinolli nga Partia e Romëve të Bashkuar, Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat, Adem Hoxha nga Partia Unike Gorane, Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, si dhe deputeti Artan Asllani.

Kryeministri Kurti theksoi se gjatë katër viteve të mandatit të parë qeverisës, ekzekutivi ka treguar përkushtimin e tij për një shtet gjithëpërfshirës, ku përfitimet e zhvillimit shtrihen për të gjithë qytetarët, pa dallime apo diskriminim. Ai vuri theksin në rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të komuniteteve joshumicë në qeverisje dhe theksoi se angazhimi i tyre është thelbësor për përparimin e vendit.

“Kemi dëshmuar që angazhohemi për një Republikë të të gjithëve, jo vetëm të shumicës. Përfshirja, pjesëmarrja dhe kontributi i komuniteteve joshumicë ka qenë dhe mbetet thelbësor në këtë proces,” u shpreh Kurti.

Ai gjithashtu apeloi për konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin pa vonesa të qeverisë së re, duke e cilësuar këtë proces si një interes të përbashkët dhe një vullnet të qartë të qytetarëve për të vazhduar me reformat dhe zhvillimin e vendit.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë pa vonesa është interes i përbashkët, sepse është në interes të qytetarëve të Republikës dhe vullnet i qartë qytetar që punët e mira të vazhdojnë e shumë të tjera të nisin,” përfundoi ai. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit