25.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kurti ka një kërkesë specifike për BE-në

Në Shkup sërish u mblodhën liderët e Ballkanit Perëndimor.

Nikoqir i këtyre takimeve ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Që të gjashtë shtetet e vogla të rajonit po aspirojnë që të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.

Nga blloku evropian kanë deklaruar se janë të hapur për zgjerim, megjithatë kanë kërkuar më shumë reforma nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mbështetje për vendet e rajonit për tu bërë anëtare të BE-së kanë premtuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj në këto takime morri pjesë edhe Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.

Ky i fundit i paralajmëroi liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit për në Bashkimin Evropian.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit. Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”, tha ai.

Angazhim më të madh nga vendet e rajonit ka kërkuar edhe Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman.

“Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin”, tha zyrtari nga BE
E i gatshëm për reforma është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mes tjerash kërkoi që anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Tutje shefi i ekzekutivit kosovar foli edhe për masat e sigurisë që i sheh si të domosdoshme ndaj Serbisë.

Megjithëse diskutuan përmbi një orë, konferenca e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor dështoi.

E krejt në fund, Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien. e la edhe një mesazh për Kosovën dhe Serbisë.

“Ne fuqishëm mbështesim udhërrëfyesin që ishte arritur në këtë shtet në Ohër në marsin e vitit të kaluar, dhe besojmë që dy shtetet duhet të punojnë në implementimin përmes dialogut që të zbatojnë udhërrëfyesin plotësisht”, shpreh ai.

Për procesin e dialogut foli edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili tha që kishte një komunikim pozitiv mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Pozitive dukej edhe raporti i Ramës me Kurtin, ku u panë disa herë afër njëri-tjetrit,.

Ndërkaq, Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse ato i përmbushin me sukses reformat e kërkuara nga blloku evropian./teve1

Të ngjajshme

Të fundit