11.8 C
Skopje
E mërkurë, 21 Shkurt, 2024

Kurti u drejtohet serbëve për dinarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e përdorimit të dinarit në komunitetin serb të Kosovës, duke u drejtuar atyre në gjuhën serbe.

Përmes një videoje 8 minutëshe të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se arsyeja e rregullores së re të BQK-së nuk është ndalimi i dinarit por formalizimi i parave. Ai tha se Serbia ka financuar terrorizëm, duke dërguar para me thasë për në Kosovë.

“Ne jemi të qartë rreth synimit të Bankës Qendrore, i cili është formalizimi dhe protokolli i transaksioneve financiare, jo pengimi i përdorimit të dinarit ose ndonjë monedhe tjetër,” u shpreh ai.

Kurti theksoi rëndësinë e një sistemi të formalizuar pagesash për të garantuar që transaksionet brenda Kosovës të kryhen në euro, valutën e vetme zyrtare në vend.

Ai hodhi poshtë akuzat se rregullorja e re e Bankës Qendrore kufizon Serbinë në ndihmën financiare për serbët e Kosovës, duke përmendur se çdo sugjerim i kundërt është vetëm një formë e propagandës që synon të nxitë tensione etnike.

Duke folur më tej, kryeministri shpjegoi se, ndryshe nga sa është raportuar, rregullorja nuk ndalon asnjë valutë të huaj, duke përfshirë edhe dinarin.

”Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufinjëve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, tha Kurti ndër tjera.

Këtë adresim Kurti e mbylli me një thirrje për veprime ndaj aktiviteteve të jashtëligjshme, duke theksuar nevojën për të ndërprerë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit./21Media 

[bsa_pro_ad_space id=1]

[bsa_pro_ad_space id=2]

Të ngjajshme

[bsa_pro_ad_space id=2]

[bsa_pro_ad_space id=1]

Të fundit