3.8 C
Skopje
E martë, 30 Dhjetor, 2025

Kurti: Veteranët e UÇK-së janë bashkudhëtarët e dëshmorëve në rrugën e lirisë së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar sot Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar luftëtarët e lirisë që me armë në duar dhe guxim në shpirt e shndërruan vullnetin për çlirim në realitet historik, informon POPULLI.mk

Në mesazhin e tij, Kurti rikujtoi se kjo ditë shënohet më 30 dhjetor, në përkujtim të aksionit të parë të forcave policore serbe kundër familjes Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991. Ai theksoi se ky ishte momenti kur rezistenca e armatosur shqiptare u shfaq hapur dhe vendosi themelet e luftës çlirimtare.

“Kishin kaluar vetëm tre javë nga kthimi i Adem Jasharit dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit të dytë të vullnetarëve të stërvitur në Shqipëri, kur policia serbe tentoi ta arrestonte atë në Prekaz. Por ajo që nuk parashikoi ishte rezistenca e armatosur e familjes Jashari dhe mobilizimi i gjerë i banorëve të zonës”, thekson Kurti.

Sipas tij, më 30 dhjetor 1991, Prekazi u shndërrua në arenë përballjesh mes forcave policore serbe dhe mbi 200 banorëve të mobilizuar për të mbrojtur familjen Jashari. Gjatë këtij aksioni, dy persona u plagosën, 14 familje u bastisën, 50 persona u ndaluan dhe 27 u arrestuan, përfshirë edhe Shaban Jasharin.

Kurti vlerësoi se Rifati, Hamza dhe Adem Jashari arritën të çanin rrethimin policor, duke e nxjerrë përtej tij jo vetëm veten, por edhe projektin kombëtar për çlirimin e Kosovës. Ai rikujtoi se familja Jashari u përball sërish me sulme më 22 janar 1998, përpara epopesë së 5, 6 dhe 7 marsit 1998, kur Adem dhe Hamza Jashari ranë dëshmorë pas një rezistence të paepur.

Në fund të mesazhit, kryeministri Kurti theksoi rolin e veteranëve si dëshmitarë të gjallë të sakrificës së dëshmorëve dhe shtyllë e historisë së çlirimit të Kosovës.

“Veteranët e luftës çlirimtare janë bashkudhëtarët e dëshmorëve. Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës – një rrugë në të cilën ecin të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe faktorizimin e kombit tonë”, përfundoi Kurti.

Të ngjajshme

Të fundit