30.3 C
Skopje
E hënë, 13 Korrik, 2026

Kuvendi sot vendos për rikonstruimin e Qeverisë, në rend dite emërimi i ministrave të rinj

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet që sot të nisë seancën e 112-të, në të cilën do të shqyrtohet shkarkimi dhe emërimi i disa ministrave në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë.

Sipas propozimit, Igor Filkov do të shkarkohet nga posti i ministrit të Drejtësisë, ndërsa në vend të tij propozohet Jeton Shasivari nga koalicioni VLEN.

Ivan Stoilkoviq do të lirohet nga detyra si ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe do të emërohet ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, do të shkarkohet dhe pritet të emërohet drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor. Në vend të Azir Aliut, ministër i ri i Shëndetësisë propozohet Sasho Klekovski, i cili aktualisht drejton Fondin për Sigurim Shëndetësor.

Për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive propozohet Agon Ferati (VLEN).

Ndryshime parashihen edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ku Cvetan Tripunovski do të zëvendësohet nga Borçe Serafimovski (ZNAM).

Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani do të shkarkohet, ndërsa në vend të tij propozohet Gjoko Velkovski (VMRO-DPMNE).

Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov do të zëvendësohet nga Sedat Sulejmani (VLEN).

Ndërkaq, në postin e ministrit pa resor, në vend të Shaban Saliut, propozohet Erxhan Demir (VMRO-DPMNE).

Gjatë seancës pritet që kryeministri Hristijan Mickoski të arsyetojë ndryshimet në kabinetin qeveritar, të cilat i ka paralajmëruar prej kohësh.

Sipas Rregullores së Kuvendit, pas propozimit për shkarkimin e një ministri hapet debat që mund të zgjasë deri në dy ditë. Ministri për të cilin është paraqitur propozimi ka të drejtë të deklarohet për 15 minuta, ndërsa ministrat e rinj zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Pas marrëveshjes së bashkëpunimit mes VMRO-DPMNE-së dhe Partisë Demokratike të Turqve, pritet që Kuvendit t’i dorëzohet edhe propozimi për një ministër të ri, ndërsa shumica parlamentare është zgjeruar edhe me një deputet.

Një tjetër ndryshim është se në Qeveri nuk do të ketë më zëvendëskryeministër dhe ministër për Qeverisje të Mirë. Këto përgjegjësi do t’i marrë një person nga Kabineti i kryeministrit. Emërimi i zëvendësministrave, sipas Mickoskit, do të bëhet në shtator.

Rikonstruimi i Qeverisë po zhvillohet në gjysmën e mandatit të kryeministrit Mickoski. Ai ka deklaruar se ky proces shënon fillimin e një faze të re të punës së ekzekutivit.

“Tani pason një periudhë ku fokusi do të jetë edhe më i madh te efikasiteti, dinamika dhe rezultatet për qytetarët. Energji e re për një përshpejtim të ri”, tha Mickoski.

Ai theksoi se çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, përgjegjës dhe plotësisht i përkushtuar ndaj punës.

“Qytetarët presin ritëm, disiplinë dhe rezultate, dhe kjo do të jetë detyrë e çdo anëtari të Qeverisë”, deklaroi Mickoski.