Drejtori aktual i SHA “MEPSO”, Burim Latifi thotë se kontrata për furnizim me lule në vlerë të 15.000 eurove është bërë nga menaxhmenti i kaluar, ndërsa siguron se e njëjta nuk ka pasoja financiare, pasi në rast se nuk porositen lule, nuk do të mund të tërhiqen mjetet financiare, përcjell TV21. Latifi ka publikuar dokument, ndërsa thotë se kjo marrëveshje është nënshkruar nga Bilen Saliji nga BDI dhe Zudi Koka nga ASH-Sela.
“Së pari, prokurimin e famshëm të hortikulturës e ka bërë menaxhmenti i mëparshëm i përbërë nga njerëzit e BDI-së dhe Zijadin Selës. Së dyti, konstatimin për nevojën e një furnizimi të tillë në SHA MEPSO e ka nënshkruar ish-ministri i BDI-së, Bilen Saliji, në cilësinë e anëtarit të bordit të drejtorëve të SHA MEPSO. Së treti, përzgjedhja e kompanisë fituese në procedurën e furnizimit publik për regullim hortikulturor është bërë nga drejtori i mëparshëm i SHA MEPSO, Zudi Koka, i emëruar nga Fronti Evropian. Së katërti, të ballafaquar me situatën e mospasjes së asnjë mundësie dhe baze ligjore për anulim të procedurës për furnizim në këtë fazë finale, kontrata u nënshkrua për t’i ikur mundësisë për padi dhe proces gjyqësor nga kompania fituese e përzgjedhur nga menaxhmenti i kaluar i SHA MEPSO. Së pesti, bëhet fjalë për një kontratë kornizë, e cila mund të ketë implikime finansiare vetëm në rast se bëhet porosi. SHA MEPSO deri tani nuk ka shpenzuar asnjë cent për këtë furnizim publik. Së gjashti, as në të ardhmen nuk do të bëjmë shpenzime të panevojshme për SHA MEPSO. Për fund, nëse BDI dhe ekspontët e saj për 24 orë nuk kërkojnë falje për gënjeshtrat e thëna, do të jem i detyruar që t’i padis për shpifje dhe fyerje”, shkruan mes tjerash Latifi.