Drejtori i Sh.A. MEPSO, Burim Latifi, ka shpallur me krenari përfundimin e një projekti të rëndësishëm për stabilitetin energjetik në Maqedoninë e Veriut. Sipas Latifit, sot është vënë në funksion transformatori i ri 400/110 kV në stacionin elektrik “TS Manastir 2”, një investim kyç për forcimin e infrastrukturës energjetike dhe sigurinë e furnizimit me energji në qytetet e Maqedonisë Jugperëndimore, informon POPULLI.mk
Ky projekt ka zgjidhur një nga problemet më të mëdha sistematike, duke rikthyer stabilitetin në rajonin e Strugës, Ohrit, Resnjës, Manastirit dhe Prilepit. Latifi theksoi se sistemi energjetik i trashëguar ishte në prag të kolapsit, por falë angazhimit dhe ekspertizës së ekipit teknik, ky transformator është vënë në funksion në kohë rekord, duke ulur presionin në rrjet dhe siguruar furnizim të qëndrueshëm gjatë muajve të dimrit.
“Ky investim do të kontribuojë në prodhimin e pandërprerë të energjisë elektrike dhe do të forcojë stabilitetin e furnizimit për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Latifi, duke shtuar se kjo arritje është një shembull i vullnetit dhe fokusit të ekipit për ndërtimin e një sistemi energjetik më të fortë dhe të sigurt për të ardhmen e vendit. / © POPULLI.mk