11.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Mars, 2025

LDK: Pavarësisht rezultateve, do të ketë dritë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për të gjithë votuesit që mbështetën këtë parti në zgjedhjet e fundit, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në procesin demokratik, informon POPULLI.mk

“Ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Faleminderit të gjithë veprimtarëve që punuat me vullnet dhe emocion në këto zgjedhje,” theksoi ai në një deklaratë publike.

Duke reflektuar mbi rezultatin e zgjedhjeve, ai u shpreh krenar për rrugëtimin e LDK-së deri më tani dhe për organizimin e brendshëm të partisë, por pranoi se kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme për të sjellë ndryshimin e dëshiruar në këtë fazë.

“Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar. Por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjej keqardhje,” deklaroi ai.

Kryetari i LDK-së bëri thirrje për durim dhe përkushtim të mëtejshëm, duke theksuar se numërimi i votave vazhdon, veçanërisht ato të diasporës. Ai premtoi se pas përfundimit të numërimit, LDK do të dalë me qëndrimet e saj politike.

“Pavarësisht të gjithave, do të ketë dritë!” përfundoi ai, duke lënë të hapur perspektivën për të ardhmen e partisë dhe të Kosovës. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit