28.8 C
Skopje
E enjte, 12 Qershor, 2025

Legjitimiteti politik si themel i qeverisjes demokratike

Shkruan – E.H

Në çdo shtet demokratik, sistemi zgjedhor nuk është thjesht mekanizëm teknik për ndarjen e mandateve – ai përfaqëson urën ndërmjet popullit dhe pushtetit. Legjitimiteti politik buron drejtpërdrejt nga vullneti i lirë i qytetarëve, dhe pikërisht këtu qëndron forca ose dobësia e çdo qeverie. Një udhëheqës apo një subjekt politik që hyn në pushtet pa përkrahje të qartë të popullit, mund të ketë një post, por nuk ka fuqi reale për të çuar përpara çështje madhore që kërkojnë konsensus shoqëror.

Në mungesë të legjitimitetit, qeverisja bëhet formalitet i zbrazët. Vendimet nuk gëzojnë mbështetje, reformat hasin në rezistencë, ndërsa shoqëria nis të largohet nga besimi te institucionet. E thënë më popullorçe, “Nëse hyn pa vullnetin e popullit, del edhe i fikun edhe i koritun.” Kjo shprehje, e thjeshtë në dukje, përmbledh në vetvete thelbin e funksionimit demokratik – se pushteti nuk fitohet vetëm në letra, apo si dhuratë në zarf të bardhë, por merret nga sovrani.

Sistemi zgjedhor, pavarësisht mangësive që mund të ketë, është tregues i fuqishëm se cilët janë përfaqësuesit e vërtetë të popullit. Injorimi i këtij mekanizmi, apo manipulimi i tij, mund të sjellë efekte të menjëhershme në skenën politike, por me pasoja afatgjata për stabilitetin institucional dhe bashkëjetesën demokratike.

Të ngjajshme

Të fundit