Zylfi Adili nuk mund të zgjidhet anëtar në KSHZ sepse është i propozuar nga parti e sapoformuar thotë Orhan Murtezani nga LEN. Sipas tij, anëtari në KSHZ i takon partive të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Si e para nuk mund të zgjidhet Zylfi Adili përshkak se është anëtar i një partie politike e cila është formuar rishtaz. Deputetët tanë dje ia dolën që në Komision ta ndalin shkeljen e ligjit. Ligji është i qartë, opozita definohet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Opozitë nuk mund të deklarohet dikush që ka formuar partinë politike para dy muajve”, tha Oran Murtezani, LEN.
Murtezani thotë se kanë paralajmëruar të gjithë faktorët ndërkombëtarë në vend se mjetet demokratike për parandalimin e siç thotë, montimin e zgjedhjeve të majit janë kah fundi.
E kur jemi te zgjedhjet, Murtezani njofton se kanë filluar të konsiderojnë një numër të caktuar të kandidatëve për president. Tendenca e tyre, siç thotë, është të nxjerrin kandidat apartiak, me qëllim që ta mbështesin edhe votuesit e papërcaktuar dhe ata që nuk kanë votuar fare deri tani.
“Tani për tani bisedohet me një numër të caktuar kandidatësh mirëpo ende nuk kemi arritur te vendimi final për ta shpallur. Ka kandidatura të mundshme por në përgjithësi tendenca jonë është të jetë ndonjë figurë politike jashtë partive politike i pranueshëm për të gjithë që të mund të prekë te votuesi i papërcaktuar dhe ata të cilët kanë refuzuar të dalin në zgjedhje deri tani”, theksoi Orhan Murtezani , LEN.
Lidhja Europiane për Ndryshim, edhe një herë i bëri thirrje Aleancës për Shqiptarët se është koha e fundit për të vendosur nëse do t’i bashkangjiten opozitës apo BDI-së.
