Shkruan Hamzi Ibraimi
Për ta dashur shtetin dhe atdheun, për të punuar me nder dhe krenari, duhet marrë si shembull lideri i shtetit turk, Rexhep Tajip Erdogan!
H.I.
Të shkruash për një lider shekullor, është sa privilegj po ashtu edhe përgjegjësi. Ndërsa unë në këtë shkrimin tim kam vendosur që të shkruaj për liderin e pathyer, udhëheqësin e Republikës së Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan. Erdogan lindi më 26 shkurt, 1954 në zonën Kasim Pasha të Stambollit. Ai kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij në Rize – një qytet në bregdetin turk të Detit të Zi në verilindje të vendit. Shkollën fillore e kreu në Kasim Pasha “Piyale”, ndërsa shkollën e mesme e vazhdoi për Imam Hatib në Stamboll. Rexhep Tajjip Erdogan në fëmijërinë e tij ishte i dhënë pas futbollit dhe pas disa viteve ai bëri një karrierë të bujshme në këtë sport. Ndërmjet viteve 1969 dhe 1982 luajti për një ekip lokal por pas disa viteve ai u transferua në disa klube të tjera. Që në moshë të re ai u përfshi edhe në skenën politike të Turqisë. Karrierën e tij e nisi duke u zgjedhur si kryetar i degës së rinisë për partinë islamike “Partia Kombëtare e Shpëtimit”.Pastaj Erdogan u rreshtua pas kryeministrit të atëhershëm të Turqisë, të ndjerit Nexhmedin Erbakan. Tri vite më vonë u themelua edhe “Partia e Mirëqenies” (Refah Partisi), ku në vitin 1984, Erdogan u bë kryetar i departamentit të saj në rrethinën e Beyoglusë. Po ashtu, Erdogan në vitin 1994 u zgjodh krye-bashkiaku i Stambollit dhe gjatë detyrës së tij ai u tregua i zgjuar dhe i suksesshëm deri në momentin kur do të ndryshojë shumë jeta e tij. Në dhjetor të vitit 1997, Erdogan u dënua me disa vite burg vetëm pse lexoi disa vargje nga vepra e poetit osman Zija Gekalpa:
Bajonetat tona janë minaret,
helmetat tona janë kubetë,
kazermat tona janë xhamitë,
ushtarët tanë janë besimtarët.
Ky arrestim i solli fat duke u bërë kandidat për kryeministër i vendit e pastaj duke kaluar si president i shtetit. Pas vitit 2014 Rexhep Tajjip Erdogan u bë edhe zyrtarisht president i vendit (shtetit). Gjatë gjithë viteve të udhëheqjes së tij, ai i ka bërë ballë shumë atentateve, tradhtive dhe sulmeve të ndryshme si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit (nga shtetet armike), nga armiqtë e fshehur por edhe ata të hapur, duke organizuar sulme të ndryshme terroriste në vend, duke organizuar protesta si ajo e Parkut Gazi, duke sulmuar ekonominë turke, si dhe së fundi më 2016 kur u mundua të bëhej grushti i shtetit, të cilin organizata FETO në mënyrë tinëzare donte që ta rrëzojë presidentin e vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, por zgjuarsia e Rexhep Tajjip Erdoganit dhe ekipit të tij bëri që ky grusht shteti të dështojë.
Ajo organizatë dhe njerëzit e përfshirë brenda saj edhe sot e kësaj dite në mënyra të ndryshme janë duke bërë çmos që Turqinë dhe presidentin e vendit mos ta lënë të qetë. Por, presidenti i shtetit turk, në mënyrë jashtëzakonisht të mirë diplomatike dhe me këmbëngulje është duke zhvilluar të gjitha planet për një Turqi të suksesshme. Duke e ditur se Turqia në vitin 2002 ishte në një krizë të thellë ekonomike, infrastrukturore dhe shëndetësore, me përkushtim në punë dhe me planet e tyre për një Turqi të re, ata ndërtuan rrugë, shkolla dhe spitale, duke u mundësuar të gjithë banorëve kushte të mirëfillta në shëndetësi e arsim.
Ai udhëheqës po ashtu është duke bërë investime jashtëzakonisht të mëdha në përforcimin e shtetit në aspektin ushtarak dhe teknologjik.
Erdogani dhe shqiptarët
Siç dihet, Erdogan ka një lidhje të veçantë me popullin shqiptar, duke mos harruar se vetë ai ka deklaruar se është kujdesur edhe nga një plakë shqiptare në fëmijërinë e tij. Çështjen e shqiptarëve ai e ka pikën më të ndjeshme të tij. Gjatë udhëheqjes së tij ka treguar gatishmëri duke ndihmuar shtetin shqiptar për çdo gjë që ka pasur nevojë duke bërë investime të ndryshme si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.
Erdogan këto dy shtete i ka ndihmuar edhe me ndihma në aspektin ushtarak. Rexhep Tajjip Erdogan është mik dhe vëlla i shqiptarëve dhe e them këtë sepse në çdo vështirësi çdoherë e kemi afër. Po ashtu, kryekëshilltarin kryesor të kabinetit të tij e ka shqiptar që shtetet e tjera që hiqen si “miq” me ne nuk kanë asnjë e as nuk do të kenë.
Investimet e Republikës së Turqisë në Shqipëri dhe Kosovë
Investimet nga ana e shtetit turk në Republikën e Shqipërisë janë më shumë se 400 kompani turke që veprojnë atje në fushën e energjisë, minierave, telekomunikacionit, tekstileve, sistemit bankar, logjistikë dhe shëndetësi. Numri i të punësuarve në to arrin më shumë se 15 mijë vetë. Nuk duhet të harrojmë se Turqia është një prej shteteve me praninë më të madhe të investimeve në Kosovë. Po ashtu, ai është një ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën me shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008. Turqia nëpërmjet “Odës Tregtare Kosovare-Turke” ka bërë investime të mëdha në Kosovë. Ndërkohë që investimet nga Turqia janë të orientuara në ekonomi, ato hapin vende pune dhe bëjnë gjenerim ekonomik. Duke e mbyllur këtë shkrim, dua t’i lutem Zotit që t’i japë jetë të gjatë dhe shëndet presidentit të Republikës së Turqisë, duke e falënderuar për çdo gjë që ka bërë dhe do të bëjë për popullin mik të tij, për shqiptarët!