9.8 C
Skopje
E enjte, 2 Prill, 2026

Lloga – Filipidu: Greqia është aleati ynë në rrugën drejt BE-së

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në takimin e sotëm të punës e njoftoi ambasadoren e Greqisë në vendin tonë, Sofia Filipidu për skriningun në Bruksel dhe mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e arritur në fushën e reformave në drejtësi dhe për sundimin e ligjit.

“Greqia i ka mbështetur gjithmonë ambiciet evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke e përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë profesionale për ta lehtësuar procesin”, potencoi Filipidu.

Në takim, siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, u diskutua edhe për ndryshimet kushtetuese, ku ministri Lloga bëri të ditur se në periudhën e ardhshme, në koordinim me kryeministrin dhe presidentin e shtetit, do të formohet një grup pune që do të punojë për përgatitjen e ndryshimeve kushtetutese.

Ministri Lloga e informoi ambasadoren Filipidu se Ministria e Drejtësisë do të parashtrojë kërkesë të re për ekstradimin e ish-agjentëve Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkoski të cilët në vitin 2017 u akuzuan për përgjime masive të mbi 20 mijë qytetarëve.

“Nuk mund të ketë shtet të së drejtës derisa këta persona të përgjigjen për veprat që i kanë kryer. Presim që vendet e BE-së të na ndihmojnë në zbatimin e ligjeve dhe rikthimin e besimit në sistemin e drejtësisë”, porositi ministri Lloga.

Ministri Lloga dhe ambasadorja Filipidu presin nga të dyja vendet intensifikimin e përpjekjeve për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. “Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme duke organizuar punëtori, vizita zyrtare dhe takime në nivel ekspertësh për ta lehtësuar procesin e negociatave me BE-në. Mbështetja e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë në Selanik do të jetë e një rëndësie të madhe për afrimin e legjislaturës tonë me atë evropiane”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Të ngjajshme

Të fundit