“Qeveria e VMRO-DPMNE-së nuk ka dorëzuar ‘rezultate historike’, dhe në vend të ‘Maqedonisë krenare’, partnerët e koalicionit në Qeveri nuk e respektojnë as gjuhën maqedonase. Në një paraqitje zyrtare, zëvendëskryeministri Arben Fetai refuzoi të përgjigjet në gjuhën maqedonase. Me gjakftohtësi tha se ‘ende nuk ishte gati në maqedonisht’. Këtë e tha një njeri në një funksion të lartë në qeverinë e Mickoskit. E nga VMRO-DPMNE dhe Mickoski – heshtje. Nuk ka reagim, nuk ka kërkimfalje, nuk ka kërkesë për përgjegjësi”, tha sot në një konferencë për shtyp, Jovica Jankoviq nga LSDM.
Ai tha: “Pyetja është e thjeshtë: për këtë i duheshin Mickoskit 58 deputetë? Për mosrespektim edhe më të madh të gjuhës maqedonase dhe institucioneve?”
“Kjo nuk është rast i izoluar. Edhe funksionarë të tjerë nga blloku shqiptar në qeverinë e Mickoskit nuk paraqiten në maqedonisht dhe nuk u përgjigjen mediave. E VMRO-DPMNE nuk ndërmerr asgjë. Në qershor pati një rast të ngjashëm, Mickoski doli dhe tha se nëse përsëritet edhe një herë, do të shkarkohej drejtori që atëherë refuzoi të fliste në gjuhën maqedonase. A do ta shkarkojë Mickoski tani Fetain? Apo funksionarët e pushtetit janë të paprekshëm? Edhe sa herë Mickoski do të thotë diçka dhe pastaj ta mohojë?”, pyeti Jankoviq.
Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, shtoi ai, i miratuar në vitin 2024, parashikon edhe sanksione për mospërdorimin e gjuhës maqedonase. “Gjoba nga 1.500 deri në 3.000 euro për mosrespektim të përdorimit të gjuhës maqedonase ekzistojnë, por nuk ka kush t’i shkruajë”, tha ai.
“VMRO-DPMNE dhe Mickoski ndaj gjithë kësaj sillen si të shurdhër dhe të verbër, sikur të mos ndodhte asgjë. Betoheshin në ‘maqedonizëm’, luftonin kundër propozimit francez dhe ‘asimilimit’, ndërsa sot nuk mund të sigurojnë as respektimin e gjuhës maqedonase në vetë qeverinë e tyre”, thanë nga partia opozitare.



