LSDM sonte në Kongresin partiak në Shkup zyrtarizoi mbështetjen për mandatin e dytë presidencial të kreut aktual të shtetit, Stevo Pendarovski.
Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski tha se kjo parti së bashku me Stevo Pendarovskin mund ta sjellin vendin në Bashkimin Evropian dhe të sigurojnë përparimin e tij.
“Për kandidatin për president Stevo Pendarovski kemi mbledhur mbi 22 mijë nënshkrime. Në këtë mënyrë, më së miri i përgënjeshtruam të gjithë kritikët, të gjithë skeptikët, të gjithë ata që mendonin se LSDM nuk ishte alternativa më e mirë për shtetin. Në këtë mënyrë më së miri u vërtetua ajo që kam thënë prej dy vitesh, që është se partia më e fortë, më e madhe dhe me aftësinë më të madhe organizative në vend është pikërisht LSDM”, tha Kovaçevski.
Kandidati për president të shtetit, Pendarovski vlerësoi se sondazhet e paraqitura nga VMRO-DPMNE janë të rreme dhe se ato reale tregojnë se ai dhe LSDM do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.
“Pres një fitore të dyfishtë. Ne kemi vlerat dhe potencialet tona dhe jemi më të mirë se ata… Cili është propozimi i tyre për kuadrin negociator europian? Thonë do t’jua themi kur të vijmë në pushtet. Me një qasje të tillë nuk mund dhe nuk guxon të jesh kryetar i një komuniteti lokal, jo i shtetit. Këta janë njerëz që nuk kërkuan falje për turpin më të madh në historinë e Maqedonisë – 27 prillin”, ka thënë Pendarovski.(INA)
