Me filma me theks të veçantë autorial, masterklase me emra të njohur të filmit e një sërë aktivitetesh, po vijon programi i Festivalit të 14-të Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar Kreativ “Makedox”, i cili filloi më 17 dhe do të zgjasë deri më 24 gusht. Sipas organizatorëve, më shumë sesa forma për të ofruar një shprehje të re, për këtë edicion ishte e rëndësishme gjetja e një mënyrë të re se si mund të tregohet një histori për çdo gjë
Evis HALILI
Shkup, 21 gusht – Me gjithsej 75 filma me theks të veçantë autorial, masterklase me emra të njohur të filmit e një sërë aktivitetesh, po vijon programi i Festivalit të 14-të Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar Kreativ “Makedox”, i cili filloi më 17 dhe do të zgjasë deri më 24 gusht. Motoja e festivalit është “cut it”, pasi fokusi i këtij edicioni është tek montazhi i filmit. Programi i sivjetmë “Makedox” është i ndarë në pesë njësi konkurruese, plus “Vendi në fokus”, që këtë vit është Danimarka. Sipas organizatorëve, më shumë sesa forma për të ofruar një shprehje të re, për këtë edicion ishte e rëndësishme gjetja e një mënyrë të re se si mund të tregohet një histori për çdo gjë. Prandaj këtë vit ka një numër të madh të ftuarish nga e gjithë bota, kryesisht montazhierë, pasi pjesa më e vështirë në realizimin e një dokumentari është pikërisht montazhi. Dhe kjo është arsyeja pse ky vit i kushtohet redaktimit, montazhit, që është pasqyruar me zhvillimin e një sërë master-klasë të shkëlqyera sidomos gjatë fundjavës. Në master-klasin e Vladimir Gojun, profesor i montazhit në Akademinë e Zagrebit ai shprehet se me dokumentarët e rinj kanë diskutuar se si të kapërcejnë grackat me të cilat ballafaqohen si autorë apo montazhierë kur punojnë në dokumentarë.
“Para së gjithash, po mendoj për situatat ku vetë thelbi, vetë thelbi i historisë, i personazheve mund të gjendet nga ajo sasi e madhe e materialit. Por u është vënë në dukje edhe se nuk duhet të jenë realisht skllevër të formave të tilla, sepse ne kemi dhënë shumë energji në krijimin e dokumentarit, për të ngjallur një lloj emocioni. Por mbi të gjitha këto janë emocione që ne si autorë mund t’i njohim, t’i nxjerrim jashtë kontekstit dhe më pas t’i vendosim në një kontekst të ri, në një kuptim të ri, me të cilin ndërtojmë të gjithë historinë. Zhvillojmë personazhet dhe njëkohësisht i japim pak shkëlqim aksionit”, thotë Gojun, profesor i montazhit të filmit.
Në programin kryesor për çmimin “Onion”, juria tre anëtarëshe nga Ukraina, Serbia dhe Meksika do të zgjedhë fituesin mes 10 dokumentarëve. Sipas Rodolfo Castillo Morales, anëtar i jurisë për programin kryesor kriteri kryesor kur shikojmë një film është që të ketë emocione në përmbajtje. “Filmat duhet të jenë të mirë për audiencën, por edhe të realizuar mirë dhe t’ju tregojnë një histori që mund të mos e keni parë, mund të mos jetë afër jush, ndaj ju befason. Imagjinoni ju dhe flisni për të kur të ktheheni në shtëpi. E dini, është mënyra më e mirë për të parë filmat, këta filma të mrekullueshëm”, u shpreh Morales.
Festivali zhvillohet në disa lokacione, si Kurshumli Han, Suli Han, në hapësirën përpara Muzeut të Maqedonisë, Qëndrës së kulturës për të rinj. Segmenti më domethënës i programit “Makedox” pasdite janë “Biseda nën fik”, ku marrin pjesë pothuajse të gjithë të ftuarit e festivalit. Në bisedat që zhvillohen çdo ditë nga ora 18:00 deri në orën 20:00, autorët prezantojnë filmat e tyre, shkëmbejnë përvoja me kolegë nga vende të tjera dhe kanë mundësinë të kontaktojnë drejtpërdrejt me publikun e festivalit. (koha.mk)
