Gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Marin Mema, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Deçanit në Kosovë. Vendimi është miratuar me votë unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, informon POPULLI.mk
Në një reagim publik, Mema ka falënderuar nga zemra institucionin dhe qytetarët e Deçanit për nderimin dhe mikpritjen e ngrohtë. Ai theksoi se ky çmim është një vlerësim i veçantë për angazhimin e tij të pandalshëm në promovimin e historisë, trashëgimisë dhe çështjes shqiptare në të gjitha trevat.
“Faleminderit nga zemra Komunës së Deçanit për titullin ‘Qytetar Nderi’, të miratuar me votë unanime nga të gjithë anëtarët e forcave të ndryshme pjesëmarrës në mbledhjen përkatëse në Këshillin Komunal! Faleminderit për mikpritjen dhe organizimin e mrekullueshëm!”, – shkroi Mema.
Pas Komunës së Gjilanit, që e kishte nderuar më herët me të njëjtin titull, Deçani është komuna e dytë në Kosovë që e vlerëson Memën për kontributin e tij profesional dhe kombëtar.
“Mirënjohje pa fund”, – përmbylli ai mesazhin e tij. / © POPULLI.mk