Në 18 vjetorin e pavarësisë, në Prishtinë sot do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” , i cili është organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.
Sipas organizatorëve, pritet një pjesëmarrje masive që mund të kalojë 200 mijë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Ky manifestim ka për qëllim të shprehë qëndrimin kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe do të jetë një tubim paqësor dhe gjithëpërfshirës, me kërkesën për drejtësi të paanshme.
Për mbarëvajtjen e tubimit janë angazhuar njësitë policore, zjarrfikësit dhe strukturat emergjente, ndërsa transporti i organizuar me autobusë nga të gjitha komunat pritet të lehtësojë ardhjen e qytetarëve në kryeqytet.
Ky marsh mbahet në kohën kur në Hagë po vazhdon procesi i deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së. Dje u mbajt dita e gjashtë e deklaratave përmbyllëse, ndërsa procesi do të vazhdojë nesër.
Mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që ata të shpallen fajtorë.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues.
