30.8 C
Skopje
E premte, 14 Gusht, 2026

“Mas’akra e Bit Pazarit 1992”, Vendoset për herë të parë një shenjë përkujtimore në Çair!

Më 6 nëntor 1992, pranë Urës së Bit Pazarit në Shkup, ndodhi një prej episodeve më të dhimbshme dhe njëkohësisht më të errëta në historinë moderne të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ngjarja e njohur në kujtesën kolektive si “Masakra e Bit Pazarit” mbetet deri sot një plagë e hapur dhe një simbol i përplasjes së parë të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve shqiptarë dhe strukturave të shtetit të sapokrijuar të Maqedonisë.

Shkruan POPULLI.mk

Gjithçka nisi si një ndërhyrje policore ndaj disa shitësve ambulantë të duhanit në tregun e Bit Pazarit. Arrestimi dhe, siç thuhet nga dëshmitarë dhe media të asaj kohe, keqtrajtimi i tyre në ambientet e policisë, shkaktuan një reagim të menjëhershëm në komunitet. Kur një prej të ndaluarve u dërgua për trajtim në Shtëpinë e Shëndetit, mungesa e transparencës zyrtare mbi gjendjen e tij shëndetësore ndezi panik. Një lajm i publikuar nga mediumi shtetëror MTV-RTM, i cili në vend të “i mbytur” përmendi termin “i mitur”, krijoi një keqkuptim fatal.

Turma e mbledhur, e përfshirë nga zemërimi dhe pasiguria, përplaset me forcat e policisë. Një automjet policor u ndalua dhe u përmbys nga protestuesit. Situata eskalon me shpejtësi në dhunë të hapur. Pasojat? Viktima, të plagosur dhe një traumë e thellë kolektive.

E gjitha kjo ndodhi në një kontekst të brishtë: vetëm pak muaj pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në mesin e tensioneve të ethshme ndëretnike në Maqedoninë e sapopavarësuar.

Sot, mbi 30 vite më vonë, ende mungon një hetim i pavarur dhe transparent mbi atë që ndodhi në Bit Pazar. Numri i të vrarëve ishte 3, Safet Sejfullahu, Sulejman Memishi dhe Shemsedin Ibrahimi, ndërsa u lënduan rëndë 14 të tjerë. U arrestuan dhe u torturuan rreth 250 shqiptarë, u bastisën shtëpi të lagjeve Gazibabë dhe Serovë, e u demoluan lokalet në Çarshi.

Ngjarja nuk gjen vend në tekstet shkollore, nuk ka memorial shtetëror dhe nuk përmendet në agjendat zyrtare të kujtesës kombëtare. Por në mendjen e shumë shqiptarëve, Bit Pazari i 1992-shit përfaqëson më shumë sesa një ngjarje tragjike – është një dëshmi e dhimbshme e përjashtimit, e dhunës shtetërore dhe e mungesës së drejtësisë.

© POPULLI.mk