Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila u hap më 24 mars në sheshin e Prishtinës, është mbyllur pasi u evidentuan pasaktësi në përmbajtjen e disa prej masakrave të ndodhura në Kosovë gjatë luftës.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku deklaroi se një kërkim falje nuk mjafton pas një rasti të tillë.
“Po besoj që nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, që nuk është ndjerë i lënduar, që nuk është ndjerë i prekur, nga pasaktësitë që u panë në ekspozitë, një pjesë financiare që ia ka mbuluar edhe Kuvendi. Mirëpo në rastet e tilla, kërkim falja nuk mjafton. Unë vetëm mund ta marr me mend se si janë ndjerë familjarët e viktimave të Masakrës së Dubravës, nëna ime e ka një familjar t humbur aty, shumë prej të mbijetuarve i kam miq, i kam bashkëpunëtorë, ka pasur edhe shumë pasaktësi të tjera, por kjo posaçërisht ndikon në narracionin dhe të vërtetën historike”, tha ajo.
Ajo vlerësoi nisjen e hetimit nga Prokuroria Speciale, por theksoi se ky hetim nuk duhet të përfundojë me kaq.
Ndër të tjera, ajo tregoi edhe kërkesën që i është drejtuar deputetëve për të financuar këtë ekspozitë.
“Këtu ka një manipulim të qëllimshëm, dhe duhet të ketë një hetim të veçantë”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së ndër të tjera shtoi se në kërkesën e parashtruar kryesisë, nuk përmendej emri i Shkëlzen Gashit, për çka tha se po të figuronte emri i tij, ajo nuk do ta miratonte një kërkesë të tillë.
