-0.2 C
Skopje
E martë, 24 Shkurt, 2026

Merkel: Partitë qeverisëse duhet të rezistojnë ndaj AfD-së ekstremiste

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri sot thirrje që partitë e njohura politike të Gjermanisë të mos lejojnë që të udhëhiqen nga partia ekstremiste e djathtë ”Alternative për Gjermaninë” (AfD).

“Partitë kryesore duhet të bëjnë politikën e tyre më të qartë për t’u distancuar nga AfD-ja”, tha Merkel për transmetuesin publik ”Phoenix”, në një ndërhyrje të rrallë në debatet publike.

Merkel, e cila shërbeu si kancelare nga viti 2005 deri në 2021, tha se nuk mund të kishte bashkëpunuar me parti që janë kundër Bashkimit Evropian, që kanë një marrëdhënie krejtësisht të ndryshme me Rusinë dhe nuk mbrojnë demokracinë liberale.

Komentet e saj u drejtuan si ndaj Partisë Social-demokrate (SPD) të qendrës së majtë, ashtu edhe ndaj aleancës konservatore që ajo dikur udhëhoqi, e përbërë nga Bashkimi Kristian-demokrat (CDU) dhe Bashkimi Kristian-social i Bavarisë (CSU).

“Të kërkosh shumicë me AfD-në është jashtë diskutimit vetëm për mënyrën se si ata e përkufizojnë veten”, tha Merkel.

Ish-kancelarja foli publikisht për çështje politike për herë të fundit në janar gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, kur kritikoi liderin konservator Friedrich Merz për miratimin e një mocioni për kufizimin e migracionit me mbështetjen e AfD-së.

Pavarësisht polemikave, Merz më pas u bë kancelar duke udhëhequr një koalicion midis bllokut CDU/CSU dhe SPD-së.

AfD-ja është partia më e madhe opozitare në Gjermani, dhe sondazhet e fundit të opinionit e vendosin atë në nivel me CDU/CSU-në ose edhe përpara saj.

Të ngjajshme

Të fundit