Interpelanca e inicuar nga “Fronti Evropian” kundër zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, nuk arriti të kalojë në Kuvend, informon POPULLI.mk
Me vetëm 3 vota “pro” dhe 64 “kundër”, deputetët hodhën poshtë kërkesën për të vënë në diskutim përgjegjësinë e Mexhitit.
Pas seancës, Mexhiti reagoi në rrjetet sociale me mesazhin e shkurtër, por të drejtpërdrejtë: “RRINI RAHAT”, duke nënvizuar qëndrimin e tij të qartë kundrejt nismës së opozitës.
Gjatë fjalimit të tij, Mexhiti theksoi se interpelanca nuk kishte të bënte me punën e tij si zëvendëskryeministër apo me përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, por me dëshirën e “Frontit Evropian” për ta kthyer BDI-në në pushtet.
Ai gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të BDI-së që të ndërmarrin hapa për reformim dhe të largojnë arrogancën politike që, sipas tij, ka shoqëruar këtë parti për vite me radhë.
“BDI duhet të reformohet dhe të ndalojë arrogancën. Është koha që kjo parti të ndalojë praktikat që kanë shkaktuar ngritjen e tensioneve ndëretnike”, u shpreh Mexhiti.
Kuvendi vazhdon të mbetet arenë e përplasjeve të ashpra mes pozitës dhe opozitës, ndërsa çështja e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe stabilitetit ndëretnik vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në vend. / © POPULLI.mk