6.8 C
Skopje
E hënë, 17 Mars, 2025

Mexhiti: 9 Shkurti do të vulosë fitoren e Kurtit dhe Vetëvendosjes

Atmosfera në tubimin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj ishte e zjarrtë, me një pjesëmarrje masive që shfaqi mbështetjen e fuqishme për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në këtë tubim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili shprehu mbështetjen e tij të palëkundur për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti, informon POPULLI.mk

Mexhiti uroi paraprakisht fitoren e VV-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke theksuar se ajo do të vulosë një mandat tjetër për Kurtin dhe ekipin e tij. “Shqiptarët e Kosovës, si popull i dinjitetshëm, kanë treguar se janë të gatshëm për sfida të mëdha dhe kanë vizionin për të forcuar më tej shtetin e Kosovës,” tha ai gjatë fjalimit të tij.

Sipas Mexhitit, 9 shkurti do të jetë një datë historike që do t’i hapë rrugën reformave të nevojshme për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe demokratike. Ai theksoi lidhjen e ngushtë vëllazërore mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre të Kosovës, duke shtuar: “Kosova nuk është vetëm një shtet fqinj, por një inspirim dhe model për çdo shqiptar në Ballkan që beson në mundësinë e ndryshimit të vërtetë.”

Mexhiti përfundoi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën dhe besimin në të ardhmen e saj: “Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën, duke e parë të ardhmen me besim dhe shpresë.”

Ky mesazh i fortë solidariteti vjen në një kohë vendimtare për Kosovën, duke forcuar edhe më tej bashkëpunimin dhe lidhjet mes shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Të ngjajshme

Të fundit