26.8 C
Skopje
E shtunë, 15 Gusht, 2026

Mexhiti: Bixhozi nuk do të jetë më pranë shkollave, miratohet ligji i ri

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, njoftoi se Qeveria ka miratuar sot projektligjin e ri për lojërat e fatit, një vendim i shumëpritur që sjell ndërhyrje rrënjësore në një sektor që për vite me radhë ka qenë jashtë çdo kontrolli, informon POPULLI.mk.

“Kazinot, klubet e aparateve dhe bastore me aparate bixhozi nuk do të lejohen më pranë shkollave. Do ta pastrojmë hapësirën rreth institucioneve arsimore nga ndikimi i lojërave të fatit. Nxënësit nuk do të ekspozohen më ndaj kësaj industrie shkatërruese. Rinia do të jetë e mbrojtur, siç e meriton,” deklaroi Mexhiti.

Projektligji parashikon rregulla të reja strikte, taksa më të larta dhe kushte që synojnë pastrimin e tregut nga operatorët abuzivë. Sipas zv.kryeministrit, shteti vendos kështu kontroll të hekurt mbi bixhozin, duke e futur përfundimisht këtë sektor në korniza ligjore të qarta.

“Kemi vendosur t’i japim fund epokës kur fitimet e bixhozit ishin mbi mirëqenien e qytetarëve. Ky është ligji i njerëzve të zakonshëm, i popullit. Ligji që mbron nxënësin, prindin, familjen,” theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se ky është një shembull konkret se kur ekziston vullneti politik, ndryshimi është i mundur.

Urime për këtë hap të madh drejt mbrojtjes së rinisë dhe shëndetit shoqëror në vend!, ka përfunduar Mexhiti.

© POPULLI.mk