Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Fushë Topanë, u prit nga familja Ramadani, ku bisedoi për jetën e përditshme, ndryshimet që ka kaluar Çairi dhe mundësitë që e presin këtë komunë në të ardhmen, informon POPULLI.mk
“Ka diçka të veçantë kur hyn në konakun e një familjeje çairase: ndjen frymën e vjetër shqiptare, mikpritjen, ngrohtësinë dhe respektin që të bëjnë të ndihesh si në shtëpinë tënde”, u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se Çairi sot ka mundësi të reja, falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe komunës, që ka hapur rrugën për investime dhe projekte të cilat më parë nuk ishin të realizueshme. “Ndryshimet po ndjehen çdo ditë nga qytetarët, dhe kjo tregon se Çairi po lëviz përpara”, shtoi ai.
Në takim u diskutua për ide, kërkesa dhe projekte të reja, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse. “Vendi zhvillohet vetëm kur qytetarët bëhen pjesë e politikës dhe kur zëri i tyre dëgjohet me vëmendje”, theksoi Mexhiti.
Sipas tij, çdo derë e hapur në Çair tregon të njëjtën dëshirë: zhvillim për vendin dhe një të ardhme më të sigurt. / © POPULLI.mk



