Asfalt i ri, trotuare të standardizuara dhe ndriçim publik, këto janë përfitimet konkrete që po realizohen në rrugën “Metodija Mitevski”, në kuadër të projekteve infrastrukturore të Komunës së Çairit, informon POPULLI.mk
Pas rregullimit dhe standardizimit paraprak të trotuareve, është përmbyllur me sukses edhe asfaltimi i rrugës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe rritjes së sigurisë për këmbësorët dhe vozitësit.
Punimet nuk ndalen këtu. Si fazë përfundimtare e projektit, do të vendoset ndriçimi publik modern, i cili do ta bëjë këtë hapësirë më të sigurt, më funksionale dhe më të përshtatshme për lëvizje gjatë gjithë ditës dhe natës.
Nga Komuna e Çairit bëhet e ditur se me të njëjtin intensitet do të vazhdohet edhe me asfaltimin e rrugëve të tjera, të përfshira në projektet zhvillimore për këtë komunë.
“Në Çair po bëhet punë. Këto janë investime reale dhe standarde që qytetarët i meritojnë”, është mesazhi i kryetarit të komunës, Izet Mexhiti, duke theksuar se përmirësimi i kushteve të jetesës mbetet prioritet kryesor i qeverisjes lokale.
