Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka shprehur ngushëllime të thella për humbjen tragjike të 59 të rinjve në Koçan, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dhimbje të paimagjinueshme për familjet dhe mbarë shoqërinë, informon POPULLI.mk
Mexhiti nënshkroi sot në Librin e Zisë dhe theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe angazhimi për drejtësi.
“Si zëvendëskryeministër, premtoj se kjo tragjedi nuk do të kalojë pa drejtësi. Do të veprojmë me vendosmëri për të parandaluar çdo formë neglizhence dhe abuzimi me pushtetin, në mënyrë që një fatkeqësi e tillë të mos përsëritet më kurrë,” tha Mexhiti.
Ai shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, miqtë e tyre dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se dhimbja është e përbashkët dhe përgjegjësia për të vepruar është e patjetërsueshme. / © POPULLI.mk