Izet Mexhiti ka reaguar ashpër pas mbajtjes së kongresit të BDI-së, duke e cilësuar atë si një “kongres-teatër” të organizuar pas debaklit zgjedhor, ku, sipas tij, askush nuk u thirr për përgjegjësi dhe askujt nuk iu kërkua llogari politike, informon POPULLI.mk
Mexhiti thekson se në vend të reflektimit serioz për humbjen e zgjedhjeve, kongresi u shfrytëzua për shpërndarjen e pamfleteve me “tema madhore”, me qëllim që të mbulohej dështimi dhe të shmangej diskutimi për çështjen thelbësore: kush mban përgjegjësi për humbjen.
Sipas Mexhitit, ajo që u paraqit si reformë ishte në fakt vetëm riciklim i emrave të vjetër, të paketuar me etiketa të reja. “Procesi i centrifugimit u quajt reformë, por një rrobë e larë nuk është një rrobë e re”, ka deklaruar ai.
Mexhiti kritikon ashpër edhe procesin e delegimit të delegatëve, duke e cilësuar atë si të kontestueshëm dhe pa asnjë transparencë në nominim dhe kandidim, çka sipas tij e shndërron kongresin në farsë.
Ai përfundon se pa llogaridhënie të mirëfilltë dhe pa përgjegjësi politike, çdo reformë mbetet vetëm pro forma, ndërsa kongreset kthehen në “teatër me kukulla”.
