Nga vendi simbolik i dhimbjes dhe shpresës, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka përshëndetur hapjen e sistemit të përbashkët kufitar “One Stop Shop” mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si një hap të madh drejt integrimit rajonal dhe afrimit me Bashkimin Evropian, informon POPULLI.mk
Në ceremoninë e inaugurimit, ku morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Mexhiti theksoi se ky projekt nuk është thjesht një zgjidhje logjistike, por një simbol i një epoke të re të bashkëpunimit në Ballkan.
“Ky nuk është vetëm një projekt. Është një akt konkret për një të ardhme pa kufij – jo vetëm ata fizikë që ndajnë shtetet, por edhe ata të padukshëm që i ndërton paragjykimi,” tha Mexhiti.
Ai theksoi se rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim, më pak ndasi, më shumë zhvillim dhe më pak izolim.
“Ballkani është Evropë. Jo si barrë, por si vlerë e shtuar,” u shpreh ai.
Sipas tij, integrimi nuk është vetëm një proces politik, por një vizion i përbashkët për një rajon të lirë, të drejtë dhe pjesë e barabartë e Bashkimit Evropian. / © POPULLI.mk




