Kuvendi verifikoi mandatin e deputetes Valbona Adili Emini, e cila zëvendëson deputetin Salim Sulejmani nga koalicioni VLEN. KSHZ paraprakisht konstatoi se Emini e ka pranuar mandatin, si deputete e VLEN-it nga radhët e Lëvizjes BESA. Por, jo të gjithë ishin pro në Kuvend! Deputeti Bekim Qoku akuzon BDI-në për mosvotimin e mandatit të ri të Valbona Eminit.
“Nuk ka ndodhur kurrë në këtë Kuvend që deputetët të votojnë kundër verifikimit të ndonjë mandati. Dua të theksoj se kjo BDI ka votuar për mandatin edhe të kriminelit të luftës, Johan Tarçullovskit i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime të luftës me 12 vjet burg, krime ndaj civilëve, shqiptar, gra e fëmijë, tha Bekim Qoku.
Deputetja e BDI-së Rina Ajdari shkruan se koleges i uron mandat të mbarë e të suksesshëm, por shprehet kundër fenomenit Salim Sulejmani, i cili, sipas saj, e kontrabandoi mandatin e fituar nga populli për përfitime personale nën diktatin e liderëve të VLEN-it. Ky reagim erdhi pasi Qeveria e ka emëruar ish-deputetin e koalicionit VLEN, Salim Sulejmani, si të dërguar special për vendet arabe.
Për më tepër nga ASH thonë se Sulejmani u emërua si i dërguar special në Arabinë Saudite dhe jo si ambasador i plotfuqishëm, siç ishte pritur nga ai dhe mbështetësit e tij.
Gjithsesi edhe deputetja e ASH-së së Taravarit, Mimoza Musa vendosi të mbetet në VLEN. Madje, njëri nga krerët e këtij koalicioni Izet Mexhiti, tha se kjo nuk është e tëra. Ai së fundmi ka deklaruar se 3-4 deputetë të opozitës do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare.
“Lëvizjet i shihni janë tektonike. Hesapet e shtëpisë nuk kanë dalë në treg. Mendoj që Qeveria ka shumicë stabile, shumica po forcohet, po fuqizohet sepse edhe i duhet, për realizimin e projekteve të këtilla në të mirë të qytetarëve”, deklaroi Izet Mexhiti.
Por kryetari i ASH-së në kuadër të Frontit Evropian, Ziadin Sela, thotë se kjo është gënjeshtër.
“Mendoj që se situatë të tillë në Frontin Evropian nuk ka, të paktën flas për deputetët e ASH-së. Unë personalisht nuk kam pasur takime për këtë temë. Kjo është gënjeshtër e madhe dhe propagandë e cila zhvillohet në shoqëri, ndërsa unë jam më shumë për të filluar të ndërtojmë standarde. Standard për qytetarët dhe shtetin duhet të jetë e vërteta dhe jo gënjeshtra. Politikani i cili duhet të mbështetet është politikani i vërtetë jo ata të rrejshmit”, tha Ziadin Sela.
Sulejmani, që vinte nga radhët e Aleancës për Shqiptarët dha dorëheqje nga mandati pas mospajtimeve me kreun e partisë Arben Taravari. Ai është shprehur se vendimi për t’u larguar erdhi si pasojë e afrimit të Taravarit me BDI-në, duke e cilësuar këtë si një devijim nga parimet për të cilat ishte angazhuar. ASH-ja e Taravarit e ka kritikuar ashpër këtë zhvillim, duke e quajtur dorëheqjen dhe emërimin e Sulejmanit si “pazar nate” dhe “nënçmim politik”.