Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti ka deklaruar se një sondazh i fundit tregon mbështetje të gjerë qytetare për modelin qeverisës të koalicionit VLEN, informon POPULLI.mk
Sipas tij, rezultatet e sondazhit pasqyrojnë besimin e qytetarëve ndaj, siç e cilësoi, “qeverisjes me duar të pastra”, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit, investimet kapitale dhe rehabilitimi i komunave kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë mbështetje.
Mexhiti nënvizoi se qytetarët po vlerësojnë rezultatet konkrete të qeverisjes, duke përmendur rritjen e pensioneve, investimet në infrastrukturë, mbështetjen për stafin mjekësor, si dhe projektet në arsim dhe ndërtimin e rrugëve.
Ai gjithashtu e cilësoi sondazhin si një “përgjigje të qartë” ndaj, sipas tij, fushatave të dezinformimit nga opozita shqiptare, të cilat synojnë të krijojnë pasiguri dhe paqartësi në opinionin publik.
Në mesazhin e tij, Mexhiti theksoi se mbështetja qytetare është tregues se politikat e ndjekura janë të drejta dhe të pranueshme për publikun, duke shtuar se votuesit shqiptarë kërkojnë bashkim dhe konsolidim të VLEN në një subjekt të vetëm politik.
Ai e përmbylli deklaratën me një thirrje për unitet, duke falënderuar qytetarët për përkrahjen. / © POPULLI.mk
