Kryeministri Hristian Mickoski, vlerëson se rritja e qarkullimit në industri, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, është solide. Ai thotë se ka sfida në industri, veçanërisht sa i përket aktivitetit të dobët të një pjese të minierave, por thekson se kjo qeveri do të bëjë gjithçka që ato ekzistuese të jenë më aktive dhe të hapen të reja. Në këtë qëllim, siç theksoi ai, nuk do t’i pengojnë ata që nuk i’a duan të mirën shtetit dhe që do të donin që të gjitha minierat të mbyllen. “Epo, duke pasur parasysh gjendjen në botë dhe gjendjen në Evropë, vlerësoj se rritja e qarkullimit në industri, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, është solide. Ne jemi vendi i vetëm që kemi një rritje të tillë në rajon, asnjë tjetër nuk ka rritje të këtillë.
Shpeshherë kur komentojmë, duhet të bëjmë krahasime. Kjo Qeveri tani, për gjashtë tremujorë radhazi, ka një mesatare të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3,5 për qind, por kjo në kushte kur rritja në BE është nën një për qind. Dikush do të thotë se ka pasur periudha kur rritja ka qenë edhe 5,5 për qind apo 6 për qind, por po, atëherë edhe rritja brenda BE-së ka qenë identike. Tani kemi rritje më shumë se tre herë e gjysmë më të lartë se ajo mesatarja e BE-së”, tha Mickoski në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në Gjorçe Petrov.
Kjo, theksoi kryeministri, për ne paraqet frymëzim se po i menaxhojmë gjërat mirë. “Nuk po them shkëlqyeshëm, sepse gjithmonë mundet më mirë, por tani për tani, duke pasur parasysh situatën globale, mendoj se gjërat po ecin mbarë”, tha kryeministri. Ai shtoi se te prodhimi industrial ka dy sfida – aktiviteti i dobët i minierave dhe stabilizimi i prodhimit të energjisë elektrike. “Njëra është aktiviteti i dobët i një pjese të minierave, megjithatë, ekzistojnë edhe struktura në shoqëri që do të donin që të gjitha minierat të mbyllen, edhe ato që i përmbushin të gjitha standardet mjedisore, dhe në këtë mënyrë ta çojnë shtetin drejt falimentimit për të përfituar më shumë grante. Ka edhe të tillë. Ja, shoh reagime menjëherë pas minierës strategjike për antimon, për të përfituar më shumë grante dhe ta spiunojnë shtetin dhe këtë Qeveri, por këtë herë mendoj se do të hasin në një “arrë të fortë”. Nuk do të tërhiqemi, sepse kjo është e ardhmja, nëse duam të kemi shtet, kjo është e ardhmja”, tha Mickoski. E dyta që është më e rëndësishme përveç minierave, sipas kryeministrit, është stabilizimi i prodhimit të energjisë elektrike. “Mendoj se tashmë është në kuadër të rrjedhave stabile, kështu që, në përgjithësi, duke e pasur parasysh gjendjen, do të përsëris, globalisht jemi në një rrugë të mirë”, theksoi kryeministri Mickoski.
