Kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski paralajmëroi sot në konferencë për shtyp rikonstruksione të Spitalit Ushtarak “8 Shtatori” dhe Aeroportit në Ohër “Shën Apostull Pavle”, objekte me rëndësi jetike për qytetarët.
“Shëndetësia, duhet të theksoj, ishte një nga fushat më të neglizhuara, ku neglizhenca e vazhdueshme nga qeveria e kaluar çoi në degradimin e mëtejshëm të spitaleve dhe kapaciteteve tashmë të amortizuara. Këtu dua të shpreh mirënjohje për një pjesë të madhe të stafit të përkushtuar shëndetësor, i cili, edhe në kushte të tilla, vazhdoi të punojë me përkushtim dhe pavarësisht kushteve nën standard dha maksimumin e tij”, theksoi Mickoski.
Ai shprehu mirënjohje ndaj nënkryetarit të Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, si dhe drejtorit të Spitalit “8 Shtatori”, Dr. Sinisha Stojanovski, për përkushtimin dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtyre projekteve.
“Në përgjithësi, këto janë investime dhe ndërhyrje të mëdha për objekte që kanë rëndësi thelbësore për shtetin tonë. Me përkushtim vazhdojmë të zgjidhim problemet, të krijojmë vlerë të shtuar dhe të luftojmë për një jetë më të mirë për qytetarët. Është e rëndësishme të dihet se duhet të ecim përpara dhe që Maqedonia të jetë përsëri e juaja”, shtoi më tej kryeministri.