5.8 C
Skopje
E enjte, 13 Shkurt, 2025

Mijëra nxënës në Tetovë pa libra – MASH premton zgjidhje nga viti i ardhshëm

Rreth 18 mijë libra mungojnë në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës. Prej tyre, janë rreth 7 mijë libra të gjuhëve të huaja që mungojnë, ndërsa rreth 10 mijë janë të lëndëve tjera. Kështu, edhe gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Tetovës dhe jo vetëm, i ka gjetur nxënësit pa libra.

Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë problemi është shkaktuar kur është hapur tenderi për furnizim me libra pasi nuk është paraparë aneks shtesë për librat që mungojnë dhe kjo ka krijuar probleme. Përderisa nxënësit vazhdojnë të kenë mungesë të librave, paralajmërimet janë se së shpejti do të hapet sistemi ku shkollat do të aplikojnë për librat që mungojnë.

“Ne kemi dhënë njoftimet adekuate deri tek shkollat fillore dhe të mesme, që kur të hapet sistemi nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të paraqiten apo të bëhet kërkesa për librat që mungojnë ose të janë të dëmtuar. Ndërkaq, për librat e dëmtuar është e rregulluar me ligj që duhet të kompensohen nga prindërit, këtë e merr për obligim komuna e Tetovës nëse do të kërkohet llogari ose do të kërkohet që këta libra të kompensohen këtë obligim e merr komuna e Tetovës, kurse detyra e shkollave është që të bëjnë kërkesë tek MASH edhe për librat që mungojnë edhe që janë të dëmtuar. Besojmë që nga viti i ardhshëm shkollor 2025/26, të gjitha shkollat do të furnizohen me libra, kurse ata libra që do të dëmtohen në të ardhmen, do të kompensohen nga vet prindërit, kurse librat e dëmtuar deri në këtë periudhë këtë obligim e merr Komuna e Tetovës”, deklaroi Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.

Në shkollat e mesme më problematike është se mungojnë librat profesionalë. Në Shkollën e Mesme Ekonomike Komunale “8 Shtatori” në Tetovë, mësimin e ndjekin 1171 nxënës në Drejtimin Teknik të ekonomisë dhe juridik, të cilët nuk kanë libra të mjaftueshme. Profesoresha e kësaj shkolle Valmira Hasani thotë se mësimdhënësit detyrohen të gjejnë mënyra për të pajisur nxënësit me njohuri në njësitë e caktuara mësimore, duke kërkuar në internet apo burime të tjera.

“Shkolla jonë është ballafaquar me problemin e librave, ky problem është i kamotshëm, nxënësit kryesisht kanë problem të librave profesionalë si ato të drejtimit teknik të ekonomisë edhe ato juridik. Sivjet shkolla jonë është furnizuar me një numër të vogël të titujve, nga lënda e statikës, gjuhë dhe letërsi angleze, matematika, tregti e brendshme, mirëpo ky numër nuk mjafton për nevojat e nxënësve. Njësitë mësimore që përgatisin profesorët janë individuale, çdo kush përgatitet për lëndën e vet, gjithashtu është faqja mon.gov.mk ku ka libra elektronikë që bashkë me nxënësit i shkarkojnë dhe i shfrytëzojnë për nevojat e tyre”, tha Valmira Hasani, profesoreshë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ditë më parë tha se problemi është më kompleks. Ai thotë se pavarësisht se komuna dëshiron të zgjidhë këtë problem, sipas tij duhen ndryshime ligjore që kjo të ndodhë.

 

 

Burimi/Koha

Të ngjajshme

Të fundit